Ambasada Amerikane në Shqipëri ka dalë me një thirrje për qytetarët e saj lidhur me protestën e cila pritet të mbahet në orën 12:00 nga opozita.
Përmes një njoftimi zyrtar Ambasada u kërkon qytetarëve të saj të kenë kujdes dhe të shmangin grumbullimet e mëdha.
“Është planifikuar të zhvillohet një protestë para godinës së Kryeministrisë. Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve. Protestat mund të çojnë në dhunë të mundshme.
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit.
Veprimet për të ndërmarrë:
Qytetarëve të SHBA-ve u kërkohet të shmangin këtë ngjarje
Monitoroni mediat lokale
Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj
Mbani një profil të ulët”, thuhet në njoftim.
Rrugët kryesore të Tiranës do të jenë ditën e sotme të bllokuara për disa orë, bëri me dije Policia e Tiranës, për shkak të tubimit që ka thirrur Partia Demokratike.
Qytetarëve u kërkohet mirëkuptim dhe të shmangin lëvizjet në këto segmente:
Duke filluar nga ora 06:00 e datës 03.03.2023, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 03.03.2023 deri në përfundim të tubimit. Protesta do të nisë në orën 12.00 dhe nuk ka një orar për përfundimin e saj.
Discussion about this post