Dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur në SHBA për të kërkuar ligje më të rrepta për armët pas ngjarjeve të rënda që tronditën vendin dhe mbarë botën.
Ata që morën pjesë në marshim mbanin slogane si “Dua të jemi lirë nga pushkatimi”.
Presidenti i SHBA Joe Biden mbështeti protestat, duke i bërë thirrje Kongresit të “kalojë legjislacionin për sigurinë e armëve me sens të përbashkët”.
Sjellim në vëmendje se 19 fëmijë dhe 2 të rritur u vranë në të shtënat e 24 Majit në Robb Elementary në Uvalde, Teksas. Kjo ngjarje e rëndë dhe ajo e një ditë tjetër më parë në Buffalo, Nju Jork, ku u vranë 10 persona, ka bërë që populli amerikan të çohet në këmbë në thirrje për veprim mbi kontrollin e armëve në SHBA.
Të shtunën, grupi i sigurisë së armëve March For Our Lives – i themeluar nga të mbijetuarit e të shtënave në shkollën e Parkland 2018 në Florida tha se rreth 450 marshime do të mbaheshin në të gjithë vendin, duke përfshirë Uashington DC, Nju Jork, Los Anxhelos dhe Çikago.
Ky grup tha se nuk do t’i linte politikanët të mos reagonin pasi njerëzit të pafajshëm vdesin nga sulme me armë.
Discussion about this post