Presidenti ukrainas Zelensky tha se 41 vendbanime në Ukrainën jugore janë çliruar pas vendimit të Rusisë për t’u tërhequr në anën lindore të lumit Dnipro.
“Sot kemi një lajm të mirë nga jugu, numri i flamujve ukrainas që kthehen në vendin e tyre të merituar në kuadër të operacionit të mbrojtjes në vazhdim tashmë ka arritur në dhjetëra. 41 vendbanime janë çliruar”, tha Zelensky.
Sipas Zelenskyt nuk janë forcat ruse ato të cilat po largohen, por janë ukrainasit ata të cilët po i ndjekin.
“Gjithçka që po ndodh tani është arritur me muaj lufte të ashpër. Arritur me guxim, dhimbje dhe humbje. Nuk është armiku që po largohet. Janë ukrainasit ata që po ndjekin pushtuesit me kosto të madhe”, shtoi Zelensky.
Forcat e armatosura të Ukrainës gjithashtu kanë hyrë në qendër të qytetit Kherson pas tërheqjes së Rusisë nga Kherson.
Fotot e postuara në mediat sociale nga Kherson të premten në mëngjes, tregonin ukrainasit duke valëvitur flamujt e ukrainës në lagjen Korabelnyi të qytetit.
Ndërkohë, më herët Ministria ruse e mbrojtjes tha se ka përfunduar tërheqjen e trupave dhe pajisjeve nga bregu perëndimor i lumit Dnipro në rajonin Kherson të Ukrainës.
Discussion about this post