Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme në mbledhjen e sotme, ndër to qeveria ka vendosur dhe se si do të shpërndahen kreditë e reja lehtësuese për administratën për 2024.
Në vendimin e publikuar me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave miratoi kuotat e përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike.
“Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për administratën publike për vitin 2024 janë, gjithsej, 300 (treqind) dhe ndahen, si më poshtë:
a) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Brendshme;
b) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Mbrojtjes;
c) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
ç) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit;
d) 45 (dyzet e pesë) për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
dh) 15 (pesëmbëdhjetë) për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
2. Përfituesit sipas shkronjave “b”, “c”, “d” dhe “dh”, të pikës 1, të këtij vendimi, përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Përfituesit sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, përzgjidhen në bazë të kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Përfituesit sipas shkronjës “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, janë punonjësit arsimorë në institucionet publike të arsimit parauniversitar, si pjesë e administratës publike, dhe përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe tabelat bashkëlidhur, përzgjedhja e tyre realizohet sipas sistemit të pikëzimit të përcaktuar nga institucioni përfitues, për të realizuar numrin e kuotave të përcaktuara.
6. Punonjësit e administratës publike të përzgjedhur përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0 (zero) %.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Discussion about this post