Kryeministri i vendit Edi Rama ka bërë sot bilancin e sezonit turistik të verës. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka theksuar se kur PS e ka nisur punën për transformimin e Shqipërisë në një vend turistik, turizmi kishte 4 për qind kontribut në ekonominë e vendit, ndërsa tani përbën 17 për qind të volumit të përgjithshëm të ekonomisë së Shqipërisë.
Edi Rama: Kur ne e kemi nisur punën për të transformuar Shqipërinë në një vend turistik, turizmi ishte 4 për qind në kontributin e vendit. Nëse kthejmë kokën pas, shumëkush e ka harruar, është natyra njerëzore, e keqja harrohet shpejt, e mira s’mjafton kurrë. Kemi pasur një turizëm primitiv jashtë çdolloj standardi të konkurrencës në këtë mjedis gjeografik ku Shqipëria ka fatin dhe ka peshën e madhe të vështirësisë mes lojtarësh botërorë të turizmit që nga Italia, Greqia që janë me një traditë më të gjatë se e jota që deri para 30 vjetësh kemi qenë një vend pa turizëm, me detin e ndaluar.
Sot, pjesëmarrja e këtij sektori në volumin e përgjithshëm të ekonomisë së vendit, në prodhimin e përgjithshëm kombëtar, është 17 për qind, pra nga 4 në 17 për qind. Për të gjithë ata që refuzojnë ta njohin progresin dhe e kanë kujtesën shumë të shkurtër, kemi qenë një vend dhe kjo gjë ka vazhduar dhe për disa vite që bënim lajm për pisllëkun, që dilnim nëpër mediat e huaja si një vend pis, i ndotur.
Rama është kthyer pas në kohë sërish duke thënë se tanimë, Shqipëria nuk përflitet në mediat e huaja për ndotjen, por përkundrazi është një ndër shtetet që rekomandohen për t’u vizituar.
Edi Rama: Jo shumë larg që këtu kemi pasur një nga gangrenat më të mëdha dhe të turpshme të kontinentit, fushën e plehrave të Durrësit, e cila është bërë subjekt kronikash në televizionet më të rëndësishme në Gjermani, Angli. Sot, Shqipëria bën lajm për të kundërtën. Në të gjitha mediat botërore, Shqipëria e nxjerr kokën, diku më shumë e diku më pak, është midis vendeve që rekomandohen për t’u vizituar. Ky është një ndryshim epokal, nuk është i vogël.
tv6+1vlora
Discussion about this post