Kryeministri Edi Rama, reagimin e tij për marrëveshjen e arritur në Ohër të shtunën mes Kosovës dhe Serbisë, zgjodhi ta nisë me një shprehje që përdori shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, i cili në konferencën për shtyp tha: “Shpesh thuhet se djalli është në detaje, por ndonjëherë djalli është në kalendar”.
“Le të shpresojmë që djalli nuk po fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e pajtuar, por jo e nënshkruar, nuk është një dredhi tjetër ballkanike!”, shkruajti Rama në një postim në Twitter, ndërsa shtoi se “në të kundërt, kjo do të ishte një arritje historike që do të njoftonte një pranverë të kërkuar prej kohësh në marrëdhëniet midis dy kombeve më të mëdha ballkanike, Kosovës dhe Serbisë”.
Rama përgëzoi palët dhe uroi që kjo marrëveshje të kthehet në një realitet të ri, të pakthyeshëm, në marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe në marrëdhëniet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE.
“Dhe le të përgëzojmë sinqerisht katër protagonistët e tavolinës së Ohrit sot, duke uruar që marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian“, shkruajti Rama.
Pas gati 12 orësh bisedime, Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia kanë arritur një dakordësi për implementimin e aneksit të marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Ai u shpreh se palët janë plotësisht të angazhuara për të respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes dhe për të zbatuar detyrimet e tyre të ndërsjella në mënyrë të shpejtë dhe me besim të mirë.
Discussion about this post