Vjosa do të shpallet Park Kombëtar. Në një aktivitet të posaçëm, u firmos marrëveshja mes Ministrisë së Turizmit dhe organizatës amerikane Patagonia për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar.
I pranishëm në ceremoni, Kryeministri Edi Rama u ktheu përgjigje edhe kritikëve që kërkonin mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës.
“Organizata Patagonia ka atë që ne na duhet më shumë se çdo gjë tjetër, që është dija dhe eksperienca në një fushë si kjo e mbrojtjes përmes sistemit të Parkut kombëtar të një pjese të rëndësishme të vendit, e cila duket si e lehtë por është shumë e vështirë, sepse Vjosa kalon mes përmes trupit të Shqipërisë, hyn nga njëra anë dhe del nga ana tjetër. Dhe të thuash park kombëtar është një fjalë goje ndërkohë që në këtë gjatësi shtrihen qytete, fshatra të tërë dhe një popullsi e tërë e cila ka nevojë për një horizont zhvillimi ekonomik dhe social se kur na thotë që ky është lumi i fundit i egër në Europë bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë e tjerë të egër i kanë zbutur për veten e tyre, kurse këtu e duan të egër. Ne nuk jemi kundër sepse përderisa po e bëjmë, po e bëjmë me bindje të plotë, por këta që e duan Vjosën të egër duhet të kenë parasysh që ne nuk mund të ndërtojmë një rezervat që edhe njerëzit t’i egërsojmë. Por të ndërtojmë një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që ja lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës në një rrugë të re dhe deri më sot të pashkelur në Europë. Gjithë lumenjtë e tjerë janë bërë si ata qentë dhe macet e cirkut që prodhojnë energji, ndërsa Vjosa do të prodhojë ardhmëri në një formë tjetër. Kjo është një histori që ka pasur edhe një aspekt të lidhur me pavërtetësinë edhe me hipokrizinë pasi ne e vendosëm Vjosën në mbrojtje”.
Kryeministri foli edhe për kontrata hidrocentralesh që ishin dhënë përpara se socialistët të vinin në qeveri 9 vite më parë.
“Ky është fakt. Në Vjosë ishin planifikuar të ndërtoheshin hidrocentrale. Trashëguam rreth 400 licenca hidrocentralesh për lumenjtë e Shqipërisë, 12 vetëm në Valbonë, ku gjetëm në proces 2 dhe ku bllokuam dhe pastaj eliminuam 9 apo 10 të tjera. E njëjta gjë ishte dhe me Vjosën. Dhe ne e kthyem në zonë të mbrojtur për të mos lejuar ndërtimin e hidrocentraleve. Kjo ishte njësoj sikur t’ja u fusim në vesh të gjithë atyre për të filluar një terror artikujsh me shumë të pavërteta. Kjo është tani histori. Ne jemi këtu për të kaluar në një fazë tjetër nga zona e mbrojtur në parkun kombëtar që do jetë boshti i kësaj hapësire duke u angazhuar për një projekt shumë të madh dhe në shumë dimensione. Ne deri sot i kemi shtuar territorit të vendit zona të mbrojtura duke e çuar në 21% tërësinë e pjesëve të mbrojtura të territorit dhe ambicia jonë është që të shkojmë në 30%”.
Hapësira ku do të shtrihet Parku Kombëtar i Vjosës do të ketë një shtrirje të gjerë, ndërsa Rama bëri të ditur se kjo nënkupton që çdo aktivitet ekonomik privat nuk do të ekzistojë. Por përfitimet do të jenë nga turizmi.
“Zona që do mbulojë parku kombëtar është një zonë shumë e madhe, faktikisht është parku kombëtar më i madh i Shqipërisë dhe na vë përpara detyrimit për të ndërtuar një ngrehinë të tërë institucionale. Ne kemi marrë nje ekspertizë ndërkombëtare përveç ekspertizës së brendshme që të gjitha procedurat e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare. Aty menjëherë marrin përsipër ndalimin kategorik të çdo biznesi apo veprimtarie ekonomike që mund të cënojë trupin e lumit dhe gjithë krahët e tij por nga ana tjetër ne besojmë që duke shpallur Vjosën park kombëtar do të kemi një impakt ekonomik shumë më të lartë se sa çdo të ishte impakti ekonomik i bazuar te zhvillimi në dëm të Vjosës. Mjaft të llogarisim numrin e turistëve që do të rritet për të ardhur në këtë park kombëtar, ashtu sikundër aktivitetet e natyrës që të arrijmë në këtë konkluzion. Vjosa ka mbi 1100 specie dhe ndër to janë 13 specie kafshësh dhe 2 bimësh që janë të kërcënuar globalisht, që janë specie në zhdukje në rang planeti. Është një ekosistem me një vlerë të jashtëzakonshme për vendin tonë”.
https://www.facebook.com/ediramaal/videos/2191571064333380
tv6+1vlora
Discussion about this post