Ish-drejtuesi i Policisë Lezhë, Henrigert Mitri dhe ish-efektivi Altin Morina janë shpallur në kërkim në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’. Po ashtu në kërkim është shpallur edhe ish-shefi i Krimeve në Delvinë Klodian Jashari.
Henrigert Mitri aktualisht është specialist pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, teksa më herët e ka mbajtur postin e drejtuesit të Policisë Vendore në Lezhë për 10 muaj në vitin 2019. Ndërsa Altin Morina është ish efektivi i RENEA-s, i cili ra në pranga pak kohë më parë, por fitoi lirinë.
Ky i fundit është një emër i njohur për opinionin publik, pasi u arrestua në muajin mars të vitit të shkuar në kushtet e flagrancës në zonën e “Kodrës së Diellit”, dhe në makinë kishte shuma të mëdha parash në valuta të ndryshme. Gjatë kontrollit rezultoi se në sediljen e pasagjerit, ndodhej një qese plastmasi brenda të cilës kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund.
Altin Morina dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës për llogari të grupeve kriminale. Vetëm 2 orë para se të vihej në pranga, shefi RENEAS dyshohet se ishte në Elbasan, ku ka dorëzuar shuma parash tek persona te skeduar.
Ai dyshohet se ka lidhje edhe me Kreshnik Halilajn që u arrestua në korrik të vitit 2021 për arsenal armësh dhe droge. Në këtë rast efektivi dyshohet se ka fshehur prova duke thënë se kokaina e gjetur në shtëpinë e Halilajt nuk ishte kokainë, por miell buke.
Po ashtu, ka dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt. Ai është parë në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.
Discussion about this post