Televizioni italian “Rai 3” do të vijojë me publikimin e investigimit të radhës për kampet e refugjatëve në Gjadër dhe Shëngjin. Në emisionin “Report”, pritet që të publikohet edhe intervista e regjistruar me kryeministrin Edi Rama. Kreu i qeverisë reagoi duke i quajtur shpifje akuzat në dokumentar ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi.
Kujtojmë që në investigimin e “Rai 3” pretendohej për prapaskena afera korruptive. Sipas tyre, “njeriu kyç në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantet është Sekretari i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, një ish-avokat i narkotrafikantëve”, thuhej në dokumentarin e Rai3. Emisioni investigativ thekson se do të vijojë me investigimet në anën tjetër të Adriatikut duke mbledhur prova dhe dëshmi të reja.
Në përshkrimin e puntatës së ardhshme thuhet se Shqipëria është kthyer në një tokë pushtuese për politikanët italianë dhe ish-politikanë që kërkojnë biznes. Emisioni do të zbulojë se si një ish-kryeministër italian dhe një ministër aktual kanë ngritur aktivitetet e tyre në sektorin e konsulencës institucionale dhe lobimit në Tiranë.
Ndërkohë, emisioni investigativ do të prekë edhe ndërtimin e qendrave që do të presin emigrantët. Fillimi i aktivitetit të këtyre qendrave ishte planifikuar për në datën 20 maj, por nga sa zbulon emisioni duke vizituar kantieret, nuk flitet dot për hapjen e tyre para nëntorit. Ndërkohë shpenzimet vijojnë të rriten dhe pothuajse të gjitha kontratat tashmë janë dhënë. Për çështjen e marrëveshjes me Italinë, presionin e fortë mafioz dhe interesat e politikanëve italianë në Shqipëri, kryeministri shqiptar Edi Rama do të flasë për herë të parë në një intervistë për Report.
Discussion about this post