Spanja sfidon Italinë, Holanda duelon me Kroacinë në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve
Përballje të zjarrta dhe elektrizuese në raundin gjysmëfinal të Ligës së Kombeve. Holanda, Italia, Spanja dhe Kroacia kërkojnë që të ngrejnë lart trofeun e prestigjit për të ndjekur në këtë mënyrë rrugën më të shkurtër drejt Kampionatit Europian që mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm. Goglat e hedhura në Nyon vendosën kundër njëra-tjetrës Spanjën dhe Italinë. Një takim që premton vërtetë spektakël, pasi gjithçka diskutohet në një duel të vetëm, teksa Axurrët janë më të uritur për të fituar pas mungesës në Kupën e Botës.
Sfida do të luhet në stadiumin e Twente më 15 Qershor. Italianët kërkojnë të marrin hak ndaj spanjollëve për atë humbje 2-1 në edicionin e kaluar. Fitorja e Spanjës prishi trendin e 37 ndeshjeve pa humbje të italianëve, që kishte zgjatur për mbi dy vite. Dy kombëtaret janë sfiduar shpesh me njëra-tjetrën, mes kampionatit Botëror dhe Europë, e ku bilanci flet në favor të barazimeve, pasi 6 prej 12 sfidave në këto nivele kanë përfunduar pa fitues, ndërsa si Spanja ashtu edhe Italia kanë fituar nga 3.
Ndërkaq gjysmëfinalja tjetër luhet mes Kroacisë dhe Holandës. Tulipanët që janë edhe vendi organizator do të sfidojnë Kroacinë më 14 Qershor. Pavarësisht traditës në futboll, dy kombëtaret janë dueluar me njëri-tjetrin vetëm në një rast, në Kupën e Botës 1998. Asokohe ballkanasit triumfuan me shifrat 2-1, çka i siguroi edhe vendin e tretë në Botërorin e Francës. Finalja e madhe do të luhet më 18 Qershor, aty ku do mësohet edhe kombëtarja e parë prezente në Euro 2024.
Discussion about this post