Në raportin e përvitshëm që publikon Transparency International për indeksin e perceptimit të korrupsionit, Shqipëria renditet me 37 pikë nga 100 të mundshme (që klasifikojnë vendet të cilat konsiderohen tërësisht të pastra) sa i takon nivelit të perceptimit të korrupsionit. Përmirësimi është vetëm me 1 pikë nga viti 2022 dhe rezulton me tregues më të përkeqësuar krahasuar me vendet e rajonit si Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët rankohen mbi 40 pikë.
Në të njëjtën tablo me ne është vetëm Serbia me 36 pikë dhe Bosnjë Hercegovina me 35 pikë. Dy shtetet e tjera në hartën e Europës me ngjyrë të kuqe bashkë me Shqipërinë janë Turqia me 34 pikë dhe Ukraina me 36.
Por si na ndikon korrupsioni dhe përse duhet ta dënojmë këtë koncept? Korrupsioni dhe abuzimi me detyrën nuk do të thotë gjithmonë të paguash drejtpërdrejt, por nëse një punë publike mund të realizohet me një fond normal dhe jo të fryrë, shumë qytetarë përfitojnë ulje taksash. Konsumatorë të tjerë do të kishin ujë dhe energji elektrike më të lirë nëse buxheti i kompanive shtetërore do të mirëmenaxhohej.
Nëse nuk do të kishte përjashtime tatimore për një grup biznesesh, disa taksa mund të ishin më të ulta, ose shërbime shëndetësore për të cilat detyrohemi të shkojmë në privat dhe jashtë vendit, mund t’i ofronte shteti. Shumë pak pyesin përse po paguaj kaq? A mund të paguaja më pak dhe ku po shkojnë paratë e mia? Nëse vlera e një fature mujore do të ishte e përgjysmuar sa do të ishin kursimet që do të kisha sot?
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme po vërtetojnë abuzimin e skajshëm që ndodh kudo: me toka private e publike, fonde dhe taksa, influenca dhe tregje me ligj. Praktikisht kemi një sistem ku në çdo fushë të jetës tonë vendos shteti, vetëm se pranojmë ta quajmë me një fjalë që është në modë në perëndim: demokraci! Dhe nëse ju thonë se në demokraci ka korrupsion pranojeni, por mos pranoni që në një sistem të tillë ku korrupsioni zbulohet çdo ditë nuk ka vetërregullim, qoftë nga kupola që udhëheq këtë sistem, qoftë nga pjesa e poshtme e tij: qytetarët dhe vota e tyre!
Sot shohim se skemat e korrupsionit kanë evoluar nga më të sofistikuarat me kompani offshore në mes që nuk dihet se nga i transferojnë paratë, deri te ato klasike ku abuzohet e përfitohet hapur me arrogancën se janë ata që kanë në dorë sistemin dhe nuk i frikësohen askujt. Por pavarësisht skemës që përdoret dhe përmasës që prodhon, thelbi është i njëjtë: të pasurit po bëhen më të pasur duke rënduar shtresën e mesme dhe zyrtarët po bëhen të pasur me punën tonë. Këtë ne duhet ta dënojmë, ta luftojmë dhe të mos e votojmë më!
Discussion about this post