Deputeti demokrat Ervin Salianji shprehet se masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha nuk pengon që PD të fitojë në zgjedhjet e 2025.
Dhe si shembull, Salianji përmendi rastin e Aung San Su Ki në Mianmar, e cila për një kohë të gjatë ishte në arrest shtëpie, por kjo nuk e pengoi të fitonte zgjedhjet atje.
“Po, kjo mund të ndodhë. Ju marr rastin e Aung San Su Ki, në Mianmar, ish Burma. Ishte në arrest shtëpie për një kohë të gjatë, u bënë zgjedhjet, fitoi dhe ndryshoi sistemin politik. Zonja në fjalë ka marrë çmimin Nobel, kështu që, në këtë kuptim, mund të fitohet”, tha Ervin Salianji në emisionin “Pa Censurë”.
Sipas tij, edhe në rastin e Sali Berishës, duhet respektuar parimi kryesor i demokracisë, zgjedhja me votë.
“Nuk ka pse të ketë asnjë dyshim, Sali Berisha, si më i votuari ndër demokratët, është kandidati i opozitës për kyeministër”, tha deputeti demokrat, duke shprehur bindjen se me disa lëvizje të mira, PD mund t’i fitojë zgjedhjet.
“Unë besoj se opozita do të fitojë mbi 50% të votave të qytetarëve dhe do të jetë në pushtet. Këtë besoj dhe për këtë punoj. Unë besoj që me votë Edi Rama mundet dhe do të mundet në zgjedhjet e 2025-ës.
Sa më takon mua, si deputet i opoitës, do të bëj të pamundurën që kjo të ndodhë, por kjo nuk varet nga një individ apo dy. I takon PD që të bëjë për vete edhe njerëzit skeptikë ndaj saj nëpërmjet hapjes, njerëzve me besueshmëri, punës në terren të deputetëve dhe të strukturave, si dhe një programi të besueshëm”, tha nënkryetari i grupit parlamentar të PD.
Discussion about this post