“Kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League në shtëpinë e kuqezinjve“
Kryeministri i vendit Edi Rama ka deklaruar se vendimi për organizimin më 6 Dhjetor të Samitit Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor në Tiranë, është për marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë një ngjarje absolutisht historike.
Përmes postimit në Facebook, Kryeministri Rama thotë se “nuk beson që mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë”.
Edi Rama: Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka bërë publik vendimin e mirëseardhur për organizimin më 6 Dhjetor, në Tiranë, të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel.
Por sot, Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbreslënës.
Për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike. Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj.
Kryeministri Rama përmes postimit në rrjetet sociale thotë se “kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve.”
Gjithashtu, Rama shton se për të dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare.
Edi Rama: Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Europian & Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare.
Ky samit vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat. Serbisë po i kërkohet më shumë progres në dialogun me Kosovën për të avancuar në procesin e integrimit në BE. Nga ana tjetër Bosnje Hercegovina pret statusin për kandidat, ndërsa Kosova heqjen e vizave.
Discussion about this post