Marrëveshja me Italinë për pensionet e shqiptarëve që punojnë në vendin fqinj dhe anasjelltas, është miratuar dje nga Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe nga Dhoma e Deputetëve në Itali.
Kategoritë që do të përfitojnë nga Skema e Sigurimit të Përgjithshëm të Detyrueshëm janë mosha e tretë, invalidët, të vetëpunësuarit si tregtarë, artizanë, fermerë, gjithashtu përfitim do të kenë dhe familjarët e punonjësve të punësuar si dhe personat e sëmurë.
500 mijë shqiptarë emigrantë në Itali tashmë do të kenë mundësinë e aplikimit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore duke bërë të mundur marrjen e dy pencioneve, sipas viteve të punës që kanë deklaruar, që minimalisht duhen 20 vite pune për të përfituar pension në shtetin italian.
Në lidhje me këtë marrëveshje ka reaguar dhe deputeti i partisë socialiste Etjen Xhafaj, i cili thekson se hapi i vetëm që ka mbetur është votimi në Parlamentin italian.
“Dje ka kaluar në Komisionet e Politikës së Jashtme, si në Senat edhe ne Dhomën e Deputetëve në Itali, marrëveshja e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse.
Hapi i fundit mbetet votimi në seancë plenare, për këtë marrëveshje që prek me dhjetëra mijëra shqiptarë. Falenderime për të gjithë ata nga pala italiane e shqiptaro-italianët që janë përfshirë në këtë marrëveshje që në gjenezë të saj”, shkruan Xhafaj.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, personat që janë në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore respektiv (shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri) duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që ka derdhur kontributet.
Po ashtu, shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje.
Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht prej vendit ku ka punuar, duke mundësuar krijimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.
Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Dhe me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.
Ata që kanë 10 vite punë në Shqipëri, e më pas emigruan dhe bënë edhe 10 vite punë në Itali, do përfitojnë pension, duke marrë dy pensione: i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu. Pra secili shtet, do paguajë sipas viteve të punës respektive.
Por nga kjo marrëveshje ka përfitime të tjera që dalin nga ligjet italianë. Për shembull në Itali aplikohet e ashtuquajtura (Quote 103), nëse emigrantët kanë 38 vite punë, duke bashkuar vitet në Shqipëri dhe Itali, dhe mosha e tij është 65, atëherë ai del në pension direkt.
Discussion about this post