Diplomacia shqiptare ka reaguar për herë të parë për ngjarjet në veri të Kosovës dhe ta dënuar vendosjen e barrikadave në rrugët kryesore dhe në pikat e kalimit kufitar. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, thotë se Shqipëria qëndron krah Kosovës në këtë situatë të vështirë.
Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, shkruan Xhaçka, teksa thekson se këto ngjarje synojnë ta kthejnë rajonin në ditët e errëta të viteve 1990, por ato kanë ikur bashkë me ish-Jugosllavinë.
“Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato. Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, vijon reagimi.
Deklarata e plotë – Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka
Po ndjekim me keqardhje minutë pas minute shfaqjen e një krize të tejzgjatur në mënyrë artificiale në veri të Kosovës dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i tensioneve.
Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë po ashtu skena që të kujtojnë ditët e errëta të viteve 1990 të cilat rajoni ynë i ka lënë pas njëherë e mirë bashkë me ish Jugosllavinë që shkoi e vate.
Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim. Kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë.
Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato. Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë.
Discussion about this post