Është shtyrë sërish seanca ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”. Avokatët e tij kërkuan të kryhet një akt i ri ekspertimi të dëmit ekonomik, pasi sipas tyre ekspertët që kanë bërë aktin e parë nuk kanë qenë të pavarur.
Sipas tyre, në kryerjen e aktit të parë nuk kanë qenë të pavarur ekspertët, por shtojcë e grupit të hetimit.
Në seancë janë paraqitur 5 ekspertët që kanë bërë aktin e mëparshëm. Ekspertët e paraqitur në gjykatë kanë kërkuar kohë të rifreskojnë edhe një herë të gjitha konkluzionet e kryera në aktin e parë. Po ashtu, dy prej tyre nuk e administronin fare aktin e ekspertimit.
Pjesë nga debatet në seancë:
Klodian Braho: Donim të dinim ekspertët janë njohur me aktin e ekspertimit?
Ekspertët: Kemi nevojë patjetër të njihemi me ekspertizën. Kërkojmë kohë të njihemi me aktin sepse ka ndodhur që në 2008.
Ymer Stafa: E kam aktin!
Rasim Metallari: E kemi kopjen tonë të asaj kohe nuk kemi nevojë. Mua për vete s’më duhet akti. Do e diskutojmë mes kolegëve
Latif Çela: Dua të sqaroj pozicionin tonë. Ne nuk jemi ekspert të licencuar, raporti jonë nuk mund të merret si ekspertizë. Ne kemi bërë një verifikim dokumentacioni, i kemi dhënë mendim prokurorit të çështjes por jo ekspertizë. Kemi dhënë mendim të specializuar që na është kërkuar
Irena Gjoka: Kështu i bie të keni kryer akt ekspertizë të rremë?
Latif Çela: Absolutisht jo, ne s’jemi thirrur si ekspertë.
Mondi Hoxha: Kërkojmë kohë të njihemi!
Fatmir Mediu: Gjithë kjo situatë tregon tendencë për të vazhduar në absurditet. Ekspertët këtu tregojnë se nuk kanë pasur cilësinë e ekspertit dhe nuk janë betuar. Kjo tregon që nuk ka dëshirë nga ana e prokurorisë për t’u thelluar në të vërtetën. Ky proces është krejt formal, pa asnjë substancë për të shkuar tek e vërteta. Unë mendoj që ka nevojë për akt-ekspertimi të ri. Mos të bëjmë proces sa për të kaluar radhën.
Pas këtyre diskutimeve Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për Mediun, për t’i dhënë kohë ekspertëve për t’u njohur me aktin. Seanca u radhës u vendos që të mbahet më 26 qershor në orën 09:00.
Ish ministri i Mbrojtjes akuzohet për shpërdorim detyre për shpërthimin e ndodhur në Gërdec më 15 mars 2008.
Discussion about this post