Me radarët e fikur prej 26 orësh në detin Jon, anija e konteinerëve “Kathrin” u ankorua në fshehtësi në portin e karburanteve, “Multi Buoy Mooring” në Porto Romano të Durrësit mëngjesin e së enjtes, pasi ishte refuzuar më parë të hynte në ujërat territorialë të Namibias në Afrikë dhe Maltës në skajin jugor të Europës.
Anija prej 130 metrash e gjatë mbart dhjetë konteinerë në bordin e saj dhe u vëzhgua nga reporterët e BIRN teksa qëndronte e ankoruar në kalatë pranë një vinçi jeshil të stërmadh dhe një anijeje të dytë përkrah saj.
Sipas alarmit të ngritur nga organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Amnesty International, anija “Kathrin” dyshohet se mbart në bord një ngarkesë vdekjeprurëse eksplozivësh e destinuar për Izraelin dhe kjo lëndë luftarake besohet se mund të kontribuojë në kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve palestinezë.
Amnesty International i tha BIRN përmes një zëdhënësi se Shqipëria rrezikon të shkelë konventat ndërkombëtare, nëse e kishte lejuar anijen në territorin e saj.
“Ligji humanitar ndërkombëtar i ndalon të gjitha shtetet që t’i transferojnë armë një pale të përfshirë në konflikt të armatosur…” tha Patrick Wicken, kërkues i Amnesty International për çështjet ushtarake, të sigurisë dhe policisë.
“Nëse kjo anije është ankoruar në një port shqiptar, Shqipëria rrezikon të shkelë detyrimet e saj për të mos inkurajuar, ndihmuar apo asistuar në shkeljen e konventës së Gjenevës,”shtoi Wicken.
Konflikti i fundit në Gaza konsiderohet si konflikti më vdekjeprurës në historinë e gjatë të përplasjeve izraelito-palestineze. Ky konflikt nisi me sulmin e papritur të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, duke përfshirë sulme nga toka, ajri dhe deti. Ky sulm çoi në vrasjen e afro 1,200 izraelitëve, ndërsa Hamasi mori gjithashtu qindra pengje.
Izraeli u përgjigj me një ofensivë të madhe ushtarake, duke shkaktuar luftime të ashpra mes të dy palëve, të cilat kanë shtuar vuajtjet e civilëve palestinezë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ky konflikt ka shkaktuar viktima të mëdha, ku 43,000 palestinezë janë vrarë vetëm në Gaza.
Anija “Kathrin” dyshohet se mbart tetë konteinerë me eksplozivë të destinuar për Izraelin. Foto: Besar Likmeta
Udhëtimi i anijes “Kathrin” është shoqëruar me polemika që nga nisja e saj nga porti Hai Phong i Vietnamit korrikun e shkuar dhe udhëtimit përreth Afrikës dhe detit Mesdhe, përpara se të ankorohej në portin privat të karburanteve në Durrës këtë të enjte.
Më 24 gusht, autoritetet e Namibias revokuan një leje të dhënë më parë për ankorimin e anijes në portin kryesor të vendit mbi dyshimet se kjo ngarkesë do të kontribuonte për krimet e luftës në Gaza.
Në fund të shtatorit, edhe Malta refuzoi që ta pranonte anijen në ujërat e veta territoriale pas kërkesave të marra nga bordi i saj për ndërrimin e ekuipazhit si dhe furnizimin me ushqim.
Raporterja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Palestinën, Francesca Albanese i bëri thirrje më parë qeverisë malteze që të ndalonte avancimin e anijes, me shqetësimin se ngarkesa e lëndëve eksplozive dyshohej se mund të përdorej në operacione ushtarake izraelite.
Por këtë mëngjes me diell në portin “Multi Buoy Mooring” në Porto Romano, shqetësimi i vetëm duket se ishte prania e gazetarëve të BIRN.
Porti “Multi Buoy Mooring” zotërohet përmes një kontrate koncesionare me qeverinë shqiptare nga kompanitë e hidrokarbureve “Kastrati” dhe “Europetrol Group”.
Në kodrën që ngrihet disa metra mbi port, dy djem të rinj me rroba të errëta civile u prezantuan si punonjës të Policisë së Shtetit dhe u kërkuan këtyre reporterëve që të mos e fotografonin anijen me pretendimin se “nuk lejohet”. Persona të tjerë që u prezantuan si “shefa” u përpoqën gjithashtu që të ndalonin fotografimin e anijes.
Qeveria shqiptare nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për lejimin e anijes dhe akuzat për shkeljen e konventave ndërkombëtare deri në publikimin e këtij shkrimi.
Discussion about this post