Çfarë po ndodh me bastet? Ky shkrim po fillon me pyetje sepse një temë e tillë përfshin dhe tregon mënyrën sesi zvarriten gjërat në Republikën e Shqipërisë, por gjithashtu tregon edhe dëmin që ju bëhet qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi.
Një heshtje totale ka kapluar ambientin në lidhje me këtë çështje, edhe pse që prej muajit mars 2024, në Fletoren Zyrtare kanë kaluar të gjitha ndryshimet në ligjin nr.155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” dhe afati 6 mujor i caktuar për nxjerrjen e akteve nënligjore ka përfunduar. Një shkelje e pastër e Kushtetutës nga Këshilli i Ministrave në lidhje me zvarritjen që po i bëhet legalizimit të kësaj industrie dhe mos kalimin e akteve nënligjore sipas afatit të parashikuar në ligj. Nga ana tjetër, Komisioni i Licencave, një strukturë e ngritur pranë AMLF-së (Agjencia Mbikëqyrëse e Lojërave të Fatit) e cila duhet të shtyjë drejt realizimit në praktikë hapjen e basteve në mënyrë legale, ka rënë në heshtje të plotë. Baste po luhen në të zezë dhe këtë e di shumë mirë i madh dhe i vogël. Që po arrestohen qytetarë për shkak se vendosin baste, ndërkohë që kanë lexuar se ato janë bërë të ligjshme, edhe kjo është një absurditet më vete.
INTERESI
Po pse ka ngecur ky proces, cilët janë palët e interesuara që hapja e basteve të shtyhet sa më shumë dhe pse aktet nënligjore nuk kalojnë në Fletoren Zyrtare? Ndoshta kompanitë që do të garojnë për një licencë nga 10 të tilla që do jepen gjithsej, nuk kanë gati dokumentacionin, por kjo nuk është e vërtetueshme nëse Komisioni i Licencave nuk shpall një thirrje nëpërmjet një njoftimi zyrtar në faqen e AMLF-së, dhe të shqyrtojë dosjen e kompanive, ashtu siç e parashikon ligji. Një tjetër interes është që kompanitë e basteve që operojnë sot në të zezë dhe strukturat policore i dinë shumë mirë vendet e tyre të operimit, ku nuk është çudi edhe të bashkëpunojnë, nuk paguajnë taksa në shtet dhe fitimi është edhe më i madh. Asgjë e deklaruar dhe një “rumpallë” lekësh së pista. Por, nëse nuk ka vullnet nga Komisioni i Licencave apo kryetari i saj për të konkretizuar në ligjshmëri të plotë këtë industri, nuk besoj se kompanitë do të dilnin nga kjo rehati që janë. Ndoshta edhe anëtarët e Komisionit të Licencave i ka zënë rehatia dhe në prag të procesit zgjedhor që do të kemi këtë vit në vendin tonë, kanë frikë të hedhin hapin e radhës sepse presin një shenjë nga lart, nga qeveria dhe jo Zoti!)
Discussion about this post