Partia Socialiste ka nisur përgatitjen e strukturave të saj në rrethe për zgjedhjet e datave 10 dhe 11 Maj, ku të gjithë anëtarët do të votojnë për delegatët e rinj të Kongresit. Mbledhja e rëndësishme e socialistëve do të jetë dy muaj më pas, në Qershor.
Kongresi është ndër organet më të larta të një force politike dhe socialistët kanë nisur përgatitjet dy muaj para për të zgjedhur delegatët e rinj që do të përfaqësojnë mijëra anëtarët në gjithë vendin.
Në datat 10 dhe 11 Maj, në degët e Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë do të votohet me parimin një anëtar një votë, në përputhje me Statutin e partisë, mëson newsbomb.al. Paralelisht me këtë proces, po bëhen dhe anëtarësimet e reja.
Është porosi e kryeministrit dhe kryetarit të partisë, Edi Rama, që deri në mbajtjen e Kongresit të Partisë Socialiste më 12 Qershor në Tiranë, strukturat të kenë bërë 50.000 anëtarësime të reja. Shifër e cila deri një muaj më parë ishte me shumë se gjysma e totalit.
Në këto kushte, ka nisur ri-energjizimi i kësaj force politike dhe paralelisht me fushatën shtëpi më shtëpi, socialistët po përgatiten dhe për zgjedhjen e delegatëve që do t’i përfaqësojnë në punimet e Kongresit të Qershorit.
Një tjetër porosi që Edi Rama u ka lënë strukturave të partisë, është dhe rishikimi i përbërjes së çdo organizate socialiste me qëllim harmonizimin e përbërjes së saj në raport me zonën që mbulon, për të pasur përfaqësim të grupeve sociale të ndryshme, raporton newsbomb.al.
Në çdo qark, po zhvillohen takime me Këshillin Koordinues të Qarkut për përgatitjet për procesin zgjedhor që do mbahet në 10 – 11 Maj, për Delegatët e Kongresit. Partia Socialiste e drejton vendin në këtë mandat të tretë, si asnjë parti tjetër në 30 vite demokraci dhe kërkon rienergjizim të strukturave sepse si forca e shumicës, kërkon të bëhet çdo ditë e më shumë forca e kujtdo.
Discussion about this post