Sot shënohen 103 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920. Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar. Kjo ditë e shënuar u festua në Lushnjë me këngë e valle popullore shqiptare.I pranishëm në muzeun “Kongresi i Lushnjës” ishte edhe presidenti Bajram Begaj. Edhe në këtë ditë, Begaj zgjodhi që t’i përçojë një mesazh politikës dhe i bëri thirrje që të punojnë bashkë për të adresuar sfidat me të cilat përballet sot vendi ynë.
“E shkuara duhet të kujtohet. Duhet të kujtohet jo vetëm për të kujtuar figurat e rëndësishme e ngjarjet e rëndësishme, por edhe si një moment reflektimi për të nxjerrë mësime. Kongresi i Lushnjës na frymëzon, ata delegatë vunë interesat e përgjithshme mbi interesin personal, interesin e Shqipërisë mbi interesin e tyre, mbi mendimet e tyre të ndryshme. Për sfidën e kohës ata vendosën që është e rëndësishme Shqipëria para interesit të tyre. Edhe sot është një thirrje shumë e madhe për ne që për sfidat aktuale duhet të bëhemi të gjithë bashkë për ti përballuar me sukses dhe për të frymëzuar popullin shqiptar siç frymëzoi Kongresi i Lushnjës”, tha Begaj.
Begaj më pas vijoi vizitën në Manastirin e Ardenicës, ndërsa i pranishëm ishte edhe kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla dhe deputeti demokrat i Lushnjës, Saimir Korreshi.
Kongresi i Lushnjës
Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, hapi zyrtarisht punimet më 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar.
Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike. Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit.
U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina.
Discussion about this post