Letërsia shqiptare në zi. Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e ditës së djeshme, 1 Korrik në banesën e tij në Tiranë në moshën 88-vjeçare pas një arresti kardiak.
Qeveria shqiptare shpalli ditë zie kombëtare sot dhe nesër, në shenjë nderimi dhe respekti në kujtim të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Në nderim të shkrimtarit, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar është ulur në gjysmështizë.
Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e mërkurë, datë 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri në orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30. Po kështu në orën 13:00, të 3 korrikut në nderim të tij do të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje.
Homazhet dhe ceremonia shtetërore do të organizohet nga një komisioni i posacëm nën mbikyrjen e vetë kryeministrit Edi Rama.
Pjesë e tij janë 3 ministra, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj drejtori i policisë së shtetit, komandanti i Gardës por dhe përfaqësues të kabinetit kryeministror. Të gjitha shpenzimet për ceremoninë dhe homazhet do të mbulohen nga qeveria.
Ismail Kadare ka lindur në Gjirokastër, më 28 janar 1936 dhe është akademik, politikan dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohor të letërsisë shqipe. Ndonëse shquhet për prozën, sërish kontributi i tij është i madh edhe në poezi, dramë e përkthime. Poezia ishte një pasion i hershëm i tij, pasi ka krijuar vargje qysh prej rinisë dhe më pas, eksperimentoi me prozën, duke u bërë një prej prozatorëve më të njohur shqiptarë.
Veprat e Kadaresë kanë një rëndësi të veçantë, pasi janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme dhe është autori që na ka prezantuar denjësisht në botë. Ai u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në vitin 1996; është nderuar me çmime ndërkombëtare, si dhe është nominuar disa herë për çmimin Nobel.
Kadare ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe, në disa zhanera letrarë.
Në poezi – Disa nga botimet
“Frymëzime djaloshare” (1954)
“Ëndërrimet”(1957)
“Shekulli im” (1961)
“Poemë blindazh” (1962)
“Përse mendohen këto male” (196)
“Motive me diell” (1968)
“Koha” (1976)
Romane – Disa nga botimet
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963)
“Kështjella” (1970)
“Kronikë në gur” (1971)
“Emblema e dikurshme” (1977)
“Ura me tri harqe” (1978)
“Gjakftohtësia” (1980)
“Prilli i thyer”; “Kush e solli Doruntinën”; “Pallati i ëndrrave” (1981)
Vlerësimet për Kadarenë:
Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, Kosovë;
Prix mondial Cino Del Duca, Francë, 1992;
Çmimi “Bokaçio” Itali,1997;
Herder Prize, Gjermani, 1998;
Ovid Prize, Rumani, 2003;
Çmimi Man Booker International, Britani, 2005;
Princi i Asturias për Letërsinë, Spanjë, 2009;
Çmimi “Lerici Pea”, Itali, 2010;
Çmimi Jeruzalem, Izrael, 2015;
Commandeur de la Légion d’Honneur, Francë, 2016;
Çmimi “Letërsia shqipe”, Kosovë, 2017;
Çmimi “Nonino”. Itali, 2018;
Çmimi i karrierës akademike, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2018;
Çmimi Park Kyong-ni, Koreja e Jugut, 2019;
Neustadt International Prize, SHBA, 2020;
Prozart, Maqedoni e Veriut, 2020;
Oficer i Madh i Legjionit të Nderit, 2020.
Kadare la pas bashkëshorten, Helena Kadarenë dhe vajzat, Gresën dhe Besianën.
Discussion about this post