Pas 10 ditësh homazhe, trupi i mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II do të bëjë udhëtimin e tij të fundit sot në mëngjes si pjesë e një funerali madhështor shtetëror – fillimisht në Westminster Abbey, për një shërbim fetar përpara një kongregacioni prej mijëra njerëzish dhe më pas në Kështjellën Windsor për një shërbim më privat dhe në fund ceremonia e varrimit do të jetë tërësisht private.
Pritet të jetë një ditë emocionesh, një ceremoni që nuk është parë që nga funerali i fundit shtetëror, i Winston Churchill, gati 60 vjet më parë.
Homazhet për Mbretëreshën në Westminster Hall, në zemër të Londrës kanë marrë fund këtë mëngjes herët rreth orës 06:30. Mijëra vetë kanë qëndruar në radhë duke parakaluar para arkivolit të saj.
Në orën 08:00
Arkëmorti i Mbretëreshës do të vendoset pak metra më larg, në Westminster Abbey, ku dyert do të hapen që të ftuarit të fillojnë të mbërrijnë përpara shërbimit në orën 11:00.
Mbi 500 krerë shtetesh nga e gjithë bota kanë fluturuar në Londër për t’u bashkuar me anëtarët e familjes mbretërore për të kujtuar jetën dhe shërbimin e Mbretëreshës. Aty do të jenë edhe politikanë të lartë të Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-kryeministra. Priten anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa, shumë prej të cilëve ishin të afërm gjaku të Mbretëreshës – Mbreti i Belgjikës Philippe dhe Mbretëresha Mathilde dhe Mbreti i Spanjës Felipe dhe Mbretëresha Letizia do të jenë atje.
Trupi i Mbretëreshës do të transportohet nga Armata e marinës mbretërore që përbëhet nga 142 marinarë. Kjo pjesë ceremoniale u pa për herë të të fundit në vitin 1979 për funeralin e xhaxhait të Princit Philip, Lord Mountbatten dhe u përdor edhe për babain e Mbretëreshës, George VI, në 1952.
Anëtarët e lartë të familjes mbretërore, duke përfshirë Mbretin e ri Charles III dhe djemtë e tij Princin William dhe Princin Harry, do të ndjekin karrocën e Armatës Mbretërore në këtë procesion.
Banda e regjimenteve skoceze dhe irlandeze do të udhëheqin ceremoninë, së bashku me anëtarët e Forcave Ajrore Mbretërore.
Në orën 11:00
Funerali i Mbretëreshës ku pritet të marrin pjesë rreth 2000 të ftuar, do të fillojë në Westminster Abbey. Do të jetë një funeral shtetëror – një ngjarje e rezervuar zakonisht për mbretërit ose mbretëreshat, e cila ndjek rregullat strikte të protokollit.
Abbey është kisha historike ku kurorëzohen mbretërit dhe mbretëreshat e Britanisë, duke përfshirë kurorëzimin e vetë Mbretëreshës në 1953. Ishte gjithashtu vendi ku princesha e atëhershme Elizabeth u martua me Princin Philip në 1947.
Në orën 11:55
Do të mbahet një heshtje kombëtare dy minutëshe. Shërbimi shtetëror i funeralit do të mbyllet rreth mesditës me himnin kombëtar.
Rreth ores 12:15
Pas shërbimit, arkivoli i Mbretëreshës do të transportohet përmes një procesioni në këmbë nga Abbey në Harkun Ëellington, në Hyde Park Corner të Londrës.
Në këtë pjesë të ceremonialit ora e famshme e Londrës Big Ben do të bjerë në intervale prej një minute, ndërsa procesioni do të lëvizë ngadalë nëpër rrugët e kryeqytetit. Përshëndetjet me armë do të vijojnë gjithashtu në çdo minutë nga Hyde Park.
Ndërkaq qytetarët janë të lirë të ndjekin procesionin nga zonat e caktuara përgjatë rrugës.
Edhe një herë Mbreti do të udhëheqë anëtarët e Familjes Mbretërore që ecin pas karrocës së Armatës Mbretërore që mban arkivolin e Mbretëreshës.
Rreth orës 13:00
Arkivoli do të transferohet me makinë për udhëtimin e tij të fundit në Kështjellën Windsor.
Kështjella, e banuar vazhdimisht nga 40 monarkë për pothuajse 1000 vjet, pati një rëndësi të veçantë për Mbretëreshën gjatë gjithë jetës së saj. Kur ishte adoleshente ajo u dërgua në kështjellë gjatë viteve të luftës pasi Londra u përball me kërcënimin e bombardimeve, dhe së fundmi ajo e bëri atë shtëpinë e saj të përhershme gjatë pandemisë së koronavirusit.
Rreth orës 15:00
Kortezhi do të mbërrijë në këmbë në Kështjellën Windsor. Rruga prej 5 kilometrash do të shoqërohet nga anëtarë të forcave të armatosura.
Mbreti dhe anëtarët e lartë të familjes mbretërore pritet të bashkohen me kortezhin në Kështjellën Windsor pak më vonë.
Rreth orës 16:00 arkëmorti do të hyjë në Kishën e Saint Xhorxhe, e cila është kisha e zgjedhur rregullisht nga Familja Mbretërore pëqr dasma, pagëzime dhe funerale.
Është vendi ku Duka dhe Dukesha e Sussex, Princi Harry dhe Meghan, u martuan në vitin 2018 dhe ku u mbajt funerali i bashkëshortit të ndjerë të Mbretëreshës, Princit Philip.
Rreth orës 16:45
Pritet të përfundojë ceremonia shtetërore dhe Mbreti bashkë me anëtarët e tjerë të familjes Mbretërore do të largohen nga Kisha
Në orën 19:30
Në mbrëmje Mbretëresha Elisabeth II do të varroset në një ceremoni private pranë bashkëshortit të saj të ndjerë, Dukës së Edinburgut në kishën e Saint Xhorxhe.
tv6+1vlora
Discussion about this post