Prokuroria Speciale njofton këtë të mërkurë dërgimin zyrtarisht në gjyq të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Referuar njoftimit zyrtar, Mediu akuzohet për dy vepra penale të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim, të Kodit Penal dhe atij Ushtarak.
Sipas SPAK, i pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues.
Ish-ministri, thotë njoftimi, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Per proçeduren e trajtimit te armeve, teknikes dhe pajisjeve te forcave te armatosura, te hequra nga armatimi dhe perdorimi, persa i perket shitjes per çmontim dhe çmilitarizim te nje sasie municioni”, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.
Për këto raste, ish-ministri Fatmir Mediu akuzohet për dy vepra penale, ndërkohë që Prokuroria Speciale njofton se ka hapur një dosje të dytë për tragjedinë e Gërdecit. Ajo lidhet me shitjen e municioneve luftarake, nga Ministria e Mbrojtjes dhe dhe ndërmarrja “MEICO”, ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.
“Gjatë hetimeve të këtij proçedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.
Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal”, vijon njoftimi i SPAK.
Discussion about this post