Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka “kopsitur” dosjen dhe ka mbyllur hetimet për çështjen “Partizani”.
Burime për mediat bëjnë me dije se ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është dhe një nga të pandehurit lidhur me këto dosje është thirrur sërish për tu paraqitur pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme. Kësaj here jo për tu njohur me akuzat, por për të firmosur mbylljen zyrtare të hetimeve.
E njëjta thirrje i është komunikuar edhe dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit, para se çështja t’i dërgohet GJKKO-së për proces. Ditën e mërkurë mund të paraqiten në SPAK edhe avokatët mbrojtës të Malltezit dhe Berishës. Së bashku me mbylljen e hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe aktet përfundimtare në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tyre nga struktura e posaçme.
Lideri demokrat, Sali Berisha, më 11 shtator u mor zyrtarisht i pandehur lidhur me dosjen “Partizani”. Ai mësoi nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonaj se është zyrtarisht një person i pandehur për drejtësinë shqiptare, pasi akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv” për dosjen “Partizani”.
“Sot jam i pandehur. Ato që kam pasur. Asnjë gjë tjetër përveç 500 faqe mashtrime, mashtrime, mashtrime. Totale”, u shpreh ish-kryeministri dhe lideri demokrat Sali Berisha më 11 shtator jashtë ambienteve të SPAK.
Më tej, duke ju përgjigjur interesit të madh të medias, ai u shpreh se qëllimi i këtij procesi është kapja e Partisë Demokratike sepse ndaj tij nuk ka asnjë provë e dokument, por kjo theksoi Berisha nuk ka për të ndodhur.
Në po të njëjtën ditë, i pandehur u mor edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Tre orë më vonë se ish-kryeministri Berisha, Malltezi u paraqit në ambientet e SPAK ku dhe u njoh me akuzat zyrtare që rëndojnë mbi të.
Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Partizani.
Një ditë më vonë, 12 shtator, në SPAK u paraqit dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja, si dhe financieres Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Jamarbër Malltezin.
Afati i fundit i SPAK për mbylljen e hetimeve për privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani ishte data 2 tetor.
FAKTI PENAL NË NGARKIM TË SALI BERISHËS DHE JAMARBËR MALLTEZIT:
Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga:
Shtetasi Sali Berisha, është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
1- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.
2- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.
3- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit Jamarbër Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit Sali Berisha, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është:
1- Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.
2- Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi.
3- Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672.976.832 lek ose 5.420.345 euro.
Shtetasi Jamarbër Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin S. B., pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë:
1- Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.
2- Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi.
3- Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672.976.832 lek ose 5.420.345 euro.
Discussion about this post