Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti është paraqitur paraditen e kësaj të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Demokratja ka shkuar në SPAK lidhur me ngjarjen e ndodhur javë më parë në seancën e Kuvendit ku opozitarët shkaktuan kaos dhe trazira.
Gjatë seancës plenare të 18 tetorit Hoti hodhi një lëndë të lëngshme në ambientet e brendshme të Kuvendit. Në fillim dyshohej se deputetja kishte hedhur benzinë, ndërsa Elda Hoti i mohoi këto akuza duke thënë se ishte thjeshtë aromatizues.
Pas kësaj ngjarje Policia e Shtetit procedoi penalisht deputetët demokratë si dhe referoi në SPAK Hotin.
Penalisht u procedua sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka, kreun e grupit parlamentar të PD Gazmend Bardhi, dhe deputetët Bledjon Nallbati, Dashnor Sula, Luan Baçi dhe Saimir Korreshi, të cilët u përplasën fizikisht me gardistët si kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë.
Hoti ditë më parë, në dalje të sallës së seancave plenare u shpreh se lënda e hedhur nuk rrezikonte jetën e ligjvënësve në Kuvend dhe se nuk i trembet SPAK-ut.
“Nuk ka asnjë të drejtë Garda e Republikës që të bëjë kontroll fizik të deputetëve. Nuk mundet që Garda e Republikës me urdhër të Elisa Spiropalit që të dhunojë gratë. Këta që burgosin deputetin vetëm sepse denoncon aferat e tyre të lidhura me qeverinë.
Ajo çfarë hodhëm në parlament nuk ishte asgjë që mund t’i rrezikojë jetën deputetëve. Ishte aromatizues le ta verifikojë prokuroria e SPAK e të gjithë me radhë. Unë nuk i trembem as SPAK as askujt. Kemi mision të mbrojmë të drejtën e qytetarëve shqiptarë”, theksoi Hoti në një prononcim për mediet.
Discussion about this post