Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë se po vazhdon ta shkelë një marrëveshje të Brukselit mes dy vendeve për personat e pagjetur, duke i shpërfillur kërkesat e Kosovës për hapjen e arkivave të policisë dhe ushtrisë serbe në lidhje me mijëra personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së viteve 1998/1999 në Kosovë. Duke folur pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit më 27 prill në Prishtinë, Osmani tha se “edhe sot Serbia vazhdon që të bëjë krim të dyfishtë, sepse njëherë e kreu krimin, e pastaj bëri çmos që ta fshehë atë, duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vjet më vonë”.
Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve me Forcë gjatë luftës. Rreth 6,000 njerëz u zhdukën gjatë luftës së fundit, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur. “Përkundër faktit se kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti, i ka dërguar letra Serbisë disa herë, duke i kërkuar që…të hapen arkivat për të dhënat e brigadave policore dhe ushtarake, për të cilat ka dëshmi që kanë marrë pjesë në masakra por edhe në operacione pas luftës për fshehjen e trupave – Serbia akoma nuk bëhet e gjallë në përgjigjen e këtyre kërkesave dhe vazhdon ta shkelë këtë marrëveshje të arritur në Bruksel”, tha Osmani.
Kosova dhe Serbia, një vit më parë, u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Një vit pas, asgjë prej këtyre në praktikë, të gjitha vetëm në letër. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë ditë më parë se Deklarata e përbashkët, e miratuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në maj të vitit 2023, “nuk po zbatohet ende”.
Stano theksoi se Deklarata nuk është ligjërisht e detyrueshme, por shtoi se BE-ja kërkon nga palët që të angazhohen “në mënyrë konstruktive” në kuadër të dialogut, për të arritur pajtueshmëri për termat e referencës. Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000, prej të cilëve rreth 1.600 janë ende të pagjetur. Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.
Discussion about this post