Duket se Drejtori i DPSHTRR Blendi Gonxhe është tërhequr nga vendimi për dyfishimin e çmimit të patentës. Kjo pak orë pasi mediat e Rilindjes raportuan dyfishimin e çmimit, duke informuar se nga muaji mars marrja e patentës që përfshin teorinë dhe praktikën do të kushtonte 850 mijë lekë të vjetra.
Në artikujt e shpërndarë gjerësisht nga mediat me burime të brendshme në PS dhe institucionet e saj nuk vihej aspak në dyshim lajmi i cili ishte i konfirmuar derisa një reagim publik masiv të çonte në tërheqjen e drejtorit që “ia mblodhën Gonxhe”.
Argumenti për rritjen e çmimit të patentës nga ana e DPSHTRR, në bazë të asaj çfarë raportonin mediat e partisë ishte “qëllimi i shmangies së abuzimeve”, medemek eleminimi i sekserëve të PD brenda institucionit. Në pavetëdijen e drejtorit të institucionit vetë kjo gjë përbën shkelje pasi tregon paaftësinë e denoncimit dhe detektimit të këtyre rasteve dhe paaftësinë e tij për të marrë masa e për të ndaluar korrupsionin në institucionin që drejton duke qenë fare mirë në dijeni të këtyre ”sekserëve”.
Gonxhe pasi anuloi vendimin, shkroi se informacioni i shpërndarë ishte lajm i rremë duke trumpetuar me të madhe joprofesionalizmin e mediave.
Ai sqaroi se marrëveshja e Drejtorisë Shtetërore të Transportit Rrugorr ishte nënshkruar me Drejtorinë e Tatimeve dhe Shoqatat e Autoshkollave dhe kjo gjë s’ka të bëjë me rritjen e çmimit, por synon eleminimin e evazionit fiskal dhe informalitetit në sektorin e Autoshkollave.
Gonxhe shoqëroi tërheqjen e shkruar me disa fjali me plot moral me parime e rregulla se si duhet të zhvillohet mësimi në autoshkolla duke dënuar ata që përdhosin procesin e mësimdhënies të kursantëve, teksa pranon se këto skandalitete ndodhin brenda institucionit që drejton.
TËRHEQJA E GONXHES:
“LAJM I GABUAR! Lajmi është: FUND FIKTIVITETIT në Autoshkolla! Zbatim rigoroz i programit të formimit për Leje Drejtimi! Fund lojës me Sigurinë Rrugore! Fund zhvlerësimit të profesionistëve dhe degradimit të tregut të Autoshkollave! As rritet e as dyfishohet çmimi i patentës! Eliminohet evazioni fiskal dhe informaliteti në sektorin e Autoshkollave!
Nuk rritet asnjë tarifë publike që lidhet me shërbimin dhe lëshimin e Leje Drejtimit! Goditet fenomeni i sekserëve që kapin kursantë për ti përdorur Autoshkollat si Nipte apo sa për letra, pa u kryer procesi mësimor, duke iu shmangur kurseve në teori e praktikë, në këmbim të një pagese të ulët por të parregullt! Luftohet konkurrenca e pandershme dhe paligjshmëria!
Fiton Siguria Rrugore! Rriten standardet e mësimdhënies në Autoshkolla! Merr dinjitet dhe vlerë aktiviteti dhe misioni i Autoshkollave! DPSHTRR zbaton aktet ligjore në fuqi që përcaktojnë programin e detyrueshëm zyrtar të përgatitjes në Autoshkolla, kryerjen e plotë dhe transparent të tij!
Siguria Rrugore kërkon Autoshkollim serioz, proces kritik që nuk mund të garantohet pa kushtet logjistike, kapacitetet teknike e didaktike që përkthehen në kosto të domosdoshme! Kurset gjysmake, shkollimi i munguar, kontratat fiktive, punësimi në të zezë ose fiktiv, regjistrat fiktivë të pjesëmarrjes në orët mësimore, janë parathënia e aksidenteve dhe fataliteteve rrugore, kostove sociale e ekonomike që tejkalojnë sektorin e Autoshkollave duke cënuar tërë shoqërinë, sigurinë publike dhe aspiratat integruese! Marrëveshja DPSHTRR dhe DPT dhe Shoqatat e Autoshkollave është investimi më i fortë për cilësi Autoshkollimi, mbrojtje konsumatori e Siguri Rrugore”.
Discussion about this post