Platforma Twitter ka njoftuar punëtorët se ka mbyllur përkohësisht zyrat e kompanisë.
Në një mesazh që ka parë transmetuesi britanik BBC, punëtorëve u është thënë se zyrat do të hapen sërish më 21 nëntor.
Arsyeja e një vendimi të tillë nuk është bërë e ditur.
Ky njoftim vjen pas raportimeve se një numër i madh i punëtorëve kanë dhënë dorëheqje, pasi pronari i ri, Elon Musk, u ka kërkuar të nënshkruajnë se janë të gatshëm të punojnë “me orar të gjatë dhe intensitet të madh”, ose që të largohen nga kompania.
Në njoftimin për punëtorët është thënë, po ashtu, që ata duhet të vazhdojnë të veprojnë “në përputhje me politikat e kompanisë, dhe të mos diskutojnë informacion konfidencial në rrjetet sociale, në media, apo diku tjetër”.
Më herët gjatë këtij muaji, Twitter ka bërë të ditur se do të zvogëlojë numrin e punëtorëve për 50 për qind.
Para se Musk të merrte kontrollin e Twitterit, kompania ka pasur rreth 7.500 punëtorë.
Musk, njeriu më i pasur në botë, është bërë pronar i Twitterit, pas blerjes së kompanisë për 44 miliardë dollarë.
Discussion about this post