Eurodeputeti i Demokracisë së Re, Fredi Beleri, i cili ka dalë nga burgu me një leje të posaçme për të shkuar për të bërë betimin si eurodeputet në Strasburg, ka folur për mediat greke.
Në një intervistë për “ANT1”, ai u shpreh se dita e betimit për të si eurodeputet ishte një ditë gëzimi dhe emocioni.
Ai ndër të tjera deklaroi se ndjen një përgjegjësi të madhe për të përmbushur pritshmëritë e atyre që i besuan votën, në të njëjtën kohë falënderoi kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe popullin grek për besimin që treguan tek ai.
Beleri po ashtu tha se të shtunën do të paraqitet në burg dhe do të kryejë plotësisht dënimin.
“Shumë raste tregojnë se drejtësia dhe ndarja e pushteteve nuk funksionojnë. Shqipëria është një vend evropian gjeografikisht dhe dua të besoj edhe nga ana kulturore. Por lidershipi i saj nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’iu afruar Bashkimit Evropian. Kam bërë kërkesë për lirim nga burgu. Do të kthehem në Himarë, është shtëpia ime. Unë nuk do të largohem. Unë do të përballem me pjesën tjetër të dënimit tim sido që të jetë”, tha ai ndër të tjera.
Kujtojmë që Fredi Bleri është dënuar me 2 vite burg pasi akuzohet për shitblerje votash gjatë zgjedhjeve lokale në vend, nga ku u zgjodh kryebashkiak. Mandat të cilin e humbi për shkak të dënimit të formës së prerë. Belerin e kap ligji i dekriminalizimit dhe nuk mund të gëzonte statusin e kryebashkiakut.
Discussion about this post