Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka u konfirmua në detyrë të premten më 28 qershor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Zarka pati një seancë të shkurtër dëgjimore një ditë më herët, gjatë së cilës dha shpjegime të përmbledhura për dy gjetje në kriterin e pasurisë.
Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin Zarka u vlerësua pozitivisht. Po ashtu, nuk u evidentuan probleme dhe për katër denoncime të dorëzuara në KPK nga publiku.
Procesi i vettingut për prokurorin Zarka u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.
Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, ku së fundmi mban funksionin e drejtuesit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Discussion about this post