Në konferencën e organizuar nga KQZ dhe OSBE për votimin e emigrantëve, ambasadorja amerikane Yuri Kim kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme të përmbushen standardet më të larta që parashikohen edhe në Kushtetutë.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 25 Prillit 2021, ambasadorja Kim i konsideroi të mira, por jo perfekte.
E për këtë arsye, ajo kërkoi bashkëpunimin e partive politike për të organizuar zgjedhje me standarde, si dhe të bëhet e mundur vota e emigrantëve.
“Është koha e duhur që të ndërmerren hapat e nevojshëm që të sigurohemi që anëtarët e diasporës që kanë të drejtë të votojnë, të mund të ushtrojnë këtë të drejtë. Demokracia përcaktohet nga proceset zgjedhore. Mënyra të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse për të zgjedhur udhëheqësit tanë që të na përfaqësojnë. Sigurimi që zgjedhjet tona të jenë të sigurta është i rëndësishëm sepse vetë akti i mbajtjes së zgjedhjeve legjitime është një demonstrim i forcës. Zgjedhjet janë një festë e sistemeve tona demokratike. Është një pohim publik i detyrimit të qeverisë ndaj qytetarëve të saj që në thelb krijon besim dhe llogaridhënie. Për më tepër, zgjedhjet janë vetëm një çast në procesin më të gjerë demokratik, një nga mënyrat e shumta që qytetarët të angazhohen në demokraci. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 shënuan një ngjarje vendimtare, që ishte rikthimi i opozitës në Kuvend. Siç theksoi zyra e OSBE, zgjedhjet e 25 Prillit 2021 ishin të mira por nuk ishin perfekte dhe të gjithë e dimë këtë. SHBA mirëpresin mundësi si kjo e sotmja dhe në ditë të ardhshme për të punuar me deputetët e Kuvendit, me partnerë që ndajnë mendime të ngjashme dhe me institucione të qeverisë shqiptare dhe për të adresuar problemet e vazhdueshme në zgjedhje, përfshirë mungesën deri më tani të të drejtës së diasporës për të votuar, një e drejtë që në fakt parashikohet nga Kushtetuta. Ne nxisim fuqimisht punën serioze dy partike për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin standardet më të larta, të cilat në fakt janë vërejtur edhe në Kushtetutë”, u shpreh ambasadorja amerikane Yuri Kim.
tv6+1vlora
Discussion about this post