Ndër rastet më të pakta në politikën shqiptare, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste ranë dakort së bashku për listat zgjedhore që do të aplikohen në parlamentaret e 11 majit, pakt ky që ka ngritur shumë debate dhe pikëpyetje tek qytetarët për transparencë gjithashtu dhe tek partitë e vogla opozitare.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë përllogaritjen për numrin e deputetëve që do të jenë pjesë e listave të hapura si dhe numrin për listat e mbyllura. Konkretisht, çdo parti duhet të paraqesë 186 kandidatë në total ku 46 prej tyre do të jenë të fiksuar në listat e mbyllura dhe pjesa tjetër do të jenë në listat e hapura.
Ndonëse në parlament garohet për 140 ulëse, për shkak të skemës së përcaktuar në këto zgjedhje, krerët e partive janë të detyruar të paraqesin një numër më të lartë kandidatësh.
Sipas formulës që do aplikohet për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, 46 deputetët e parë të çdo subjekti garues do të jenë produkt i listës së mbyllur ku renditjen e ka caktuar kryetari dhe vota e qytetarit nuk mund të ndikojë, ndërsa vetëm partitë që arrijnë të marrin një numër mandatesh që tejkalon listën e mbyllur, do kenë mundësi të çojnë në Kuvend deputetë si preferencë e qytetarit.
Nga dokumeni zyrtar i KQZ, është përllogaritur skema e përzgjedhjes së deputetëve për çdo qark të vendit, nga listat e mbyllura dhe të hapura.
Sipas qarqeve, në Berat, për çdo subjekt fitues, 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e fiksuar, dhe 5 nga lista e hapur. Në Dibër, 2 fituesit e parë do të jenë të listës së mbyllur, dhe 3 nga e hapura. Në Durrës, 5 deputetët e parë dalin nga lista e fiksuar, 9 nga lista e hapur. Në Elbasan do të jenë 5 nga 15 mandate të mbrojtura në listë të mbyllur.
Në Fier, 5 nga 16 emrat, do të jenë të mbyllur. Gjirokastra ka vetëm 1 emër në listë të mbyllur nga 4 mandate gjithsej. Korça ka në listë të fiksuar, 3 nga 10 mandate për çdo subjekt zgjedhor. Kukësi do të ketë 1 mandat të fiksuar, Shkodra 4 të tillë. Në Tiranë, 12 fituesit e parë do të merren nga lista e mbyllur, Vlora do të ketë 4 deputetë në listë të sigurt nga 12 mandate gjithsej.
Discussion about this post