Në muajin shkurt presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Ballkanit Perëndimor të prodhojnë bashkërisht armatime. A mund të ndihmojë rajoni dhe a janë në gjendje këto vende që të përmbushin nevojat e Ukrainës?
Që nga pushtimi rus i Ukrainës rreth dy vite më parë, presidenti ukrainas Zelenskyy ka ripërsëritur në vijimësi thirrjen e tij për ndihmë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e Bashkimit Europian. Në Samitin Ukrainë-Europa Jug-Lindorembajtur në Tiranë në ditët e fundit të muajit shkurt, ai shkoi një hap më tej dhe sugjeroi bashkëprodhim armatimi me shtetet e Ballkanit Perëndimor. “Propozoj një forum të përbashkët në industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës, Ballkanit dhe partnerëve tanë” – tha ai.
Kjo kërkesë shtron pyetjen, nëse rajoni është teknikisht në gjendje që të përmbushë dëshirën e Zelenskyt. Dhe nëse është, a do të bashkëpunojë Serbia, vend i njohur për lidhjet e saj të ngushta politike me Rusinë?
Pse Zelensky përzgjodhi Ballkanin Perëndimor?
“Edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë një prodhim domethënës të armatimit të rëndë luftarak, ato kanë një sërë fabrikash për prodhimin e municioneve, dhe municionet janë ato që i interesojnë Ukrainës” – thotë hulumtuesja serbe Katarina Djokic, nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm, SIPRI. Në një analizë për Deutsche Welle, Djokic thotë se pjesa më e madhe e prodhimit të armatimit në rajon është i përqëndruar në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi, me disa kompani që prodhojnë municione në një gamë të gjerë kalibrash dhe lloje të ndryshme armësh, përfshirë sisteme të artilerisë dhe mortaja.
“Kemi pak të dhëna të besueshme se sa këto kompani janë në gjendje të prodhojnë gjatë vitit dhe sigurisht ky prodhim është shumë larg nevojave të Ukrainës, por Ukraina kërkon municione aq sa të mundet, prandaj dhe interesi i saj për prodhimin e Ballkanit Perëndimor nuk është surprizë” – thotë Djokic.
Cilat shtete të Ballkanit Perëndimor prodhojnë armatime?
Raporti më i fundit nga SEESAC, Zyra për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Europën Jug – Lindore dhe Lindore, tregon se gjatë vitit 2021, Serbia kryesoi listën e vendeve të rajonit si eksportuesi më i madh i armëve dhe municioneve, duke përbërë rreth 65.79% të eksporteve totale të Ballkanit Perëndimor, me një fitim në vlerën 1.3 miliardë euro. Vendin e dytë e mban Bosnje-Hercegovina, me 31.75% të eksporteve totale të rajonit.
Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga vetë këto shtete, rezulton se Shqipëria eksporton kryesisht municione, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi eksportojnë mitralozë të kalibrit 12.7 mm dhe automatikë, bomba dhe raketa, Maqedonia e Veriut eksporton municione dhe bomba, ndërsa Serbia një gamë më të gjerë armësh dhe municionesh, duke përfshirë bomba, granata, silurë dhe raketa.
Çfarë pozicioni mban Serbia?
Edhe pse presidenti serb Aleksandër Vuçiç e përshëndeti me përzemërsi presidentin ukrainas Zelenskyy në samitin e Tiranës, ai nuk bëri deklaratë zyrtare pas kërkesës së Zelenskyyt për prodhimin e përbashkët të armatimeve.
E vetmja deklaratë ndaj kësaj kërkese u bë nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili gjatë samitit u tha gazetarëve se “presidenti Zelensky na foli rreth një mundësie bashkëpunimi, çka nënkupton investim, prodhim dhe bashkëpunim, dhe sigurisht që secili prej nesh tha ‘Po’, jo vetëm Shqipëria”.
Serbia e ka dënuar luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, por ajo nuk i ka vënë kurrë sanksione shtetit rus. Katarina Djokic, thotë se pozicioni i politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë “mund të përshkruhet më mirë si oportuniste sesa e orientuar drejt Rusisë”. Ajo thekson se kjo reflektohet edhe në eksportet serbe të armëve. “Nuk diskutohet nëse Serbia do të pranojë të dërgojë armatim në Ukrainë, sepse sipas burimeve publike të inteligjencës, Serbia po e bën aktualisht këtë, edhe pse përmes vendeve të treta”. “Në mediat sociale kanë qarkulluar disa fotografi që tregojnë trupat e ushtrisë ukrainase duke përdorur armatim të prodhuar në Serbi. Gjithsesi qeveria vendase e konsideron këtë si një çështje delikate për politikën e brendshme dhe nuk ka të ngjarë që t’i pranojë publikisht këto eksporte” – sqaron Djokic për DW.
Sipas saj, kur gjatë vitit të kaluar rrodhën dokumente amerikane që tregonin se Serbia ishte e gatshme të eksportonte armë në Ukrainë, ose kishte nisur ta bënte, presidenti serb udhëroi një pezullim të përkohshëm të të gjithë eksporteve të armëve, zyrtarisht me argumentin se u duhej dhënë përparësi Forcave të Armatosura Serbe, por me shumë gjasa ky ishte një veprim për të menaxhuar pasojat e dëmit të shkaktuar.
“Deklaratat e tij të fundit, që ‘ne nuk mund të eksportojmë armatim sepse na nevojitet për vete’, nuk do të thonë se armatimet e prodhuara në Serbi nuk do ta gjejnë rrugën për në Ukrainë”.
Çfarë mund të bëjë Shqipëria?
Ermal Jauri, nga “George C. Marshall Albania Alumni Association”, thotë se modernizimi i kohëve të fundit i ish-bazës ajrore të Kuçovës me fondet e NATO-s është shembulli i përkryer i asaj çka mund të arrihet. Ai thotë se fabrikat e dikurshme të prodhimit të municioneve dhe bazat e vjetra ushtarake janë pjesërisht funksionale nga ana teknike dhe janë të certifikuara me sistemin e cilësisë së ndërmarrjes GOST.
“Me investimin e duhur, këto qendra rivitalizohen dhe kthehen në funksionalitet të plotë në një kohë të shkurtër” – i tha Jauri DW. Para viteve ’90, këto qendra prodhonin municione për mortaja, “Kallashnikov”, pistoleta “Makarov” dhe “Parabellum”, pushkë të tipit “Simonov”, granata dore ofensive dhe difensive si dhe mina kundër personel.
“Nëse Shqipëria përfshihet në një nismë të tillë, do të ishte një hap madhor drejt përmirësimit të sigurisë së vendit dhe të gjithë rajonit” – analizon Jauri.
Me apo pa mbështetjen e Bashkimit Europian?
Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, pak kohë më parë, presidenti Zelensky u kërkoi partnerëve të BE-së që të dërgonin me urgjencë më shumë armatim dhe municione në Ukrainë. Kërkesa e tij erdhi pak javë pasi Unioni pranoi publikisht se ishte shumë pranë arritjes së objektivit që i kish vënë vetes për të dërguar miliona predha artilerie në Ukrainë deri në fund të marsit.
Josep Borrell, diplomati më i lartë i BE-së, më herët gjatë këtij viti u pati bërë thirrje vendeve anëtare që të ndalonin t
Josep Borrell, diplomati më i lartë i BE-së, më herët gjatë këtij viti u pati bërë thirrje vendeve anëtare që të ndalonin transportin e armëve drejt shteteve të tjera, përveç Ukrainës. “Të mos bërit asgjë nuk është alternativë” – tha ai, duke theksuar se “shtetet anëtare të BE-së duhet të gjejnë mënyra për të rritur mbështetjen ndaj Ukrainës, veçanërisht për dërgesat e municioneve aq shumë të nevojshme”.
Pra, cilat vende europiane janë në kushtet për të ndihmuar Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor që të prodhojnë armatim së bashku?
“Qeveria gjermane ka shfaqur interes për financimin e armatimeve për Ukrainën, nga vendet jo-anëtare të BE-së. Franca gjithashtu ka treguar se do të ishte e hapur të blinte municione për Ukrainën, të prodhuara në vendet jo-BE” – thotë Djokic. “Me Berlinin dhe Parisin në ekip, do të ishte më tepër i mundshëm edhe përdorimi i fondeve të Bashkimit Europian”.
Sipas Jaurit, një nismë e tillë nuk mund të realizohet pa mbështetjen e aleatëve të Ballkanit Perëndimor, si NATO dhe BE. “Kjo, jo sepse aleatët nuk janë në gjendje të prodhojnë municion dhe pajisje luftarake në vendet e tyre, por mbështetja e tyre për krijimin e një industrie të tillë në Ballkanin Perëndimor, do të ulte ndjeshëm dhe kostot e tyre në prodhimin e tyre.”
Discussion about this post