Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer këtë të mërkurë me akuza të rënda ndaj dy shoqatave të gjyqtarëve, të cilat kanë bërë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ndryshimit të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, që do t’i mundësonte rritjen e pagave për ta. Rama e cilësoi këtë kërkesë si të papranueshme dhe të paligjshme, duke theksuar se njëra prej shoqatave është pezulluar nga Qendra Kombëtare e Biznesit për mospagim të detyrimeve, ndërsa tjetra nuk është as e regjistruar.
“Ju jeni të paligjshëm si shoqata. Nuk mund të drejtoheni në Gjykatën Kushtetuese pasi nuk respektoni dispozitat ligjore. Njëra shoqatë është pezulluar nga Qendra Kombëtare e Biznesit për mospagimin e detyrimeve tatimore, ndërsa tjetra nuk është regjistruar fare. Dhe Gjykata Kushtetuese nuk duhej t’i kishte pranuar si palë”, tha Rama gjatë një deklarate për mediat.
Kryeministri akuzoi shoqatat për qëllime financiare, duke shtuar se ato janë krijuar vetëm për të siguruar të ardhura dhe se kërkesa për rritjen e pagave është një mënyrë për të përfituar para pa respektuar ligjin. Ai e cilësoi veprimin e këtyre shoqatave si një shkelje të drejtësisë dhe një abuzim me pushtetin.
“Shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për të fituar para, për të rritur të ardhurat e tyre. Këto janë shoqata që duhet të ishin çregjistruar, sepse nuk respektojnë as ligjet dhe as detyrimet ndaj shtetit”, tha Rama, duke shtuar se gjyqtarët shqiptarë janë të paguar më shumë se kolegët e tyre në shumë shtete të rajonit dhe se kërkesa e tyre është e paarsyeshme.
Rama gjithashtu falënderoi Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që nuk i është bashkuar kësa kërkese dhe e quajti një sinjal të qartë që SPAK është duke vepruar në përputhje me ligjin dhe interesin publik.
Ky reagim i kryeministrit erdhi pas kërkesës së dy shoqatave të gjyqtarëve për të indexuar automatikisht pagat e tyre sa herë që të rriten pagat në sektorë të tjerë shtetërorë, duke e konsideruar këtë si një garanci kushtetuese për pavarësinë e gjyqësorit. Rama i cilësoi këto argumente si të papranueshme dhe të paarsyeshme, duke theksuar se gjyqtarët shqiptarë janë më të paguar se ata në vende të tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, dhe po aq të paguar sa kolegët në Greqi, një vend anëtar i Bashkimit Europian.
Në datën 20 janar, Gjykata Kushtetuese mbajti një seancë lidhur me kërkesën e dy shoqatave, ndërkohë që kërkesa për rritjen e pagave mbetet një çështje e ndjeshme që ka shpërndarë mendime të ndryshme brenda shoqërisë shqiptare.



