Udhëheqësit më të lartë ushtarakë nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar u kanë bërë thirrje vendeve evropiane të rrisin gatishmërinë përballë një kërcënimi të mundshëm nga Rusia.
Inspektori i Përgjithshëm i Bundeswehr-it, Carsten Breuer, dhe kreu i Forcave të Armatosura Britanike, Richard Knighton, paralajmëruan në një apel të përbashkët se Moska po e zhvendos gjithnjë e më shumë orientimin e saj ushtarak drejt Perëndimit.
Në një artikull të publikuar në gazetat Die Welt dhe The Guardian, dy gjeneralët theksojnë se ushtria ruse po “riorganizohet në mënyra që mund të rrisin rrezikun e konfliktit me vendet e NATO”.
Sipas tyre, përforcimi ushtarak i Moskës, i kombinuar me gatishmërinë për të zhvilluar luftë në kontinentin evropian – siç po dëshmohet në Ukraina – përbën një rrezik në rritje që kërkon reagim të koordinuar.
Breuer dhe Knighton kërkojnë jo vetëm forcimin e kapaciteteve ushtarake, por edhe zgjerimin e industrisë evropiane të mbrojtjes. “Ukraina na tregon se bazat industriale janë çelësi për të mbështetur dhe në fund të fundit për të fituar çdo luftë të madhe”, theksojnë ata.
Gjeneralët nënvizojnë se riarmatimi nuk duhet parë si provokim, por si domosdoshmëri strategjike. “Riarmatimi nuk është luftënxitës; është veprim i përgjegjshëm i kombeve të vendosura për të mbrojtur popujt e tyre dhe për të ruajtur paqen”, shprehen ata, duke shtuar se “forca pengon agresionin, ndërsa dobësia e fton atë”.



