Një draft i ri i propozuar nga Këshilli i Ministrave lidhur me vendimin “Për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, ka sjellë një sërë ndryshimesh që synojnë përmirësimin e procedurave administrative dhe unifikimin e tyre. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është rritja e transparencës dhe ulja e barrës administrative për të huajt që aplikojnë për vizë ose leje qëndrimi.

Një nga risitë kryesore të këtij projektakti është mundësia e aplikimit online për vizë dhe leje qëndrimi, duke e lehtësuar procesin për aplikuesit. Siç theksohet në relacionin e projektaktit, aplikimi mund të bëhet përmes sistemit elektronik të vizave ose, për ata që nuk mund të aplikojnë online, përmes paraqitjes personale në misionet diplomatike ose postat konsullore të Shqipërisë.

Po ashtu, një tjetër risi e rëndësishme është përjashtimi nga detyrimi për vizë për shtetasit e vendeve të treta që janë të pajisur me një vizë të vlefshme Shengen ose leje qëndrimi të vlefshme, lëshuar nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian. Ky parashikim synon lehtësimin e lëvizjes dhe harmonizimin e politikave të Shqipërisë me praktikat evropiane.

Në kuadër të dokumentacionit të kërkuar për aplikimet për vizë, është shtuar kërkesa për paraqitjen e lejes së qëndrimit mbi 12 muaj, lëshuar nga shteti i vendbanimit të aplikuesit, me vlefshmëri jo më pak se 3 muaj pas afatit të vizës. Gjithashtu, janë realizuar përmirësime dhe saktësime në dokumentacionin e nevojshëm për kategoritë e vizave “D” dhe lejen unike, me synim rritjen e qartësisë dhe efikasitetit të procedurave.

Një element tjetër i rëndësishëm është krijimi i një kategorie të veçantë për punëtorët shtëpiakë, duke përcaktuar qartë kushtet dhe dokumentet që kërkohen për aplikuesit që dëshirojnë të punësohen në këtë fushë. Po ashtu, është parashikuar edhe dokumentacion shtesë për sportistët, ku kërkohet që aplikuesit të paraqesin një dokument që vërteton regjistrimin e tyre në federatën sportive përkatëse.

Për ata që aplikojnë për vizë për studime, është sanksionuar nevoja për një garanci financiare në vlerën e barazvlefshme me 300 mijë lekë, një masë që ka për qëllim sigurimin e mbulimit të shpenzimeve gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu shtimin e kërkesës për dëshminë e penalitetit, e cila do të jetë një dokument i detyrueshëm për të gjitha kategoritë e lejeve të qëndrimit, përveç aplikantëve nën moshën 16 vjeç dhe mbi moshën 75 vjeç. Ky parashikim ka për qëllim rritjen e sigurisë dhe verifikimin e integritetit të aplikuesve.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është përmirësimi i procedurave për lejen unike të qëndrimit për punëtorët stinorë, ku kërkohet paraqitja e dokumenteve që vërtetojnë që aplikuesi plotëson kushtet për profesione të rregulluara.

Në fund, projektakti saktëson dhe përmirëson dokumentacionin për lejen e qëndrimit për investitorët, duke synuar eliminimin e paqartësive dhe përmirësimin e procesit për të nxitur investimet e huaja.

Ky projektakt pritet të sjellë përmirësime të mëdha në administratën e emigracionit dhe të mundësojë një procedurë më të shpejtë dhe efikase për të huajt që duan të punojnë, studiojnë ose investojnë në Shqipëri.

Exit mobile version