Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur fjalën e tij të fundit para trupit gjykues në Hagë, duke shprehur besimin se e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë, pavarësisht vonesave në procesin gjyqësor.
“Unë e di kush jam, çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Veprimet e mia kanë qenë ligjore,” ka deklaruar Veseli, duke shtuar se gjykata duhet të mbrojë parimet themelore të drejtësisë dhe paanësisë. Ai gjithashtu theksoi: “Drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet. Edhe në momentet më të errëta, unë nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë.”
Përvojat e luftës dhe persekutimi i familjes
Veseli ka folur edhe për përvojat e tij personale dhe familjare gjatë periudhës së luftës dhe pas saj. “Liria nuk mund të arrihet prej padrejtësisë. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm. Unë e di çka do të thotë të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm, kjo është një përvojë që nuk do t’ia dëshiroja askujt,” ka theksuar Veseli.
Akuzat dhe mbrojtja e të drejtës për liri
Duke iu referuar akuzave ndaj tij, Veseli ka deklaruar se nuk ekzistojnë prova që e implikojnë në krime. “Pas dekadash hetime dhe dokumentesh, nuk ka asnjë provë se kam kryer krime. Nuk është dëshmuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime,” shtoi ai.
Ai ka nënvizuar se përjetimet e popullit të Kosovës gjatë luftës nuk janë abstrakte, por reale. “Ky nuk është përshkrim abstrakt, por është një përjetim konkret. Burrat, gratë, fëmijët, pa përjashtim, përballeshin çdo ditë me frikë, kërcënim dhe sulme. Kjo është përvojë që nuk ia dëshiroj askujt,” tha Veseli.
Vlerat humane dhe qëllimi për lirinë e Kosovës
Veseli ka theksuar se vlerat humane kanë qenë udhërrëfyesi i tij gjatë luftës dhe më pas, duke theksuar se ato janë reflektuar në veprimet e tij. “Njeriu duhet t’i ruajë vlerat humane. Disa mund të pyesin nëse janë vetëm fjalë apo janë pasqyruar në veprimet e mia. Unë them se jo vetëm në fjalët e mia, por edhe në provat e paraqitura para kësaj Gjykate,” ka deklaruar ai.
Në fund, Veseli ka folur për pjesëmarrjen e tij në luftë, duke theksuar se qëllimi ka qenë mbrojtja e të drejtave themelore dhe liria e popullit të Kosovës. “Si i ri gjithmonë kam kërkuar paqe në jetën dhe familjen time. Kam marrë pjesë në mbrojtjen e të drejtave themelore, në një kohë kur Serbia dhe Sllobodan Millosheviqi kërkonin sundim mbi të gjithë popujt e Jugosllavisë,” ka përfunduar Veseli.



