Pas gati një muaji kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i Jurgen Karajt, 30-vjeçarit që humbi jetën pasi ra me makinë në përroin e fshatit Fullqet, në bashkinë Klos.

Trupi u lokalizua në zonën e Urakës, në liqenin e Ulzës, rreth 30 kilometra larg vendit ku ndodhi aksidenti fatal, duke forcuar dyshimet e policisë se ai është marrë nga rrjedha e fortë e ujit.

Për 28 ditë me radhë, kërkimet u zhvilluan nga forcat e Policisë së Shtetit, polumbarët e RENEA-s, Forcat e Armatosura dhe një njësi speciale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat bashkëpunuan në operacionin e vështirë të kërkimit.

Ngjarja tragjike daton më 9 janar, kur Karaj po udhëtonte si pasagjer në një automjet tip “Audi”, që drejtohej nga 24-vjeçari A.L. Për shkaqe ende të paqarta, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe automjeti përfundoi në përroin pranë fshatit Dars, duke u zhytur në rrjedhën e ujit.

Menjëherë pas aksidentit, shoferi A.L. u arrestua nga policia, nën akuzën e mosdhënies ndihmë ndaj një personi të përfshirë në incident.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilit të përfshirë.

Exit mobile version