Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë zhvillohet sot seanca e fundit gjyqësore para shpalljes së vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK.
Katërshja udhëheqëse – ish-presidenti i Kosova, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi – do të japin sot konkluzionet përfundimtare.
Secili prej tyre ka në dispozicion 20 minuta për të folur, ndërsa trupi gjykues ka afat tre muaj për të shpallur vendimin final, me mundësinë e zgjatjes nëse është e nevojshme. Pas fjalës së fundit të të pandehurve, ekipet mbrojtëse do të paraqesin deklarimet për 30 minuta, duke kërkuar pafajësi për akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorisë Speciale, e cila ka kërkuar 45 vjet burg për secilin të pandehur.
Seanca e sotme po ndiqet nga një numër i madh familjarësh dhe zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Procesi gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së ka filluar më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur të pandehurit ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë. Deklarimet përmbyllëse kanë nisur më 9 shkurt.



