Monedhat e huaja kanë shfaqur paqëndrueshmëri gjatë javës së parë të muajit shkurt, në raport me lekun, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Monedha europiane ka pësuar një dobësim të lehtë prej 0,12 lekësh gjatë fundjavës. Euro këmbehej në fillim të javës me 96,66 lekë, ndërsa në fundjavë zbriti në nivelin e 96,54 lekëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë gjithë javës euro u ble mesatarisht me 96,21 lekë dhe u shit me 96,86 lekë.
Në të kundërt, dollari amerikan ka shënuar një rritje të lehtë. Monedha amerikane këmbehet aktualisht me 82,27 lekë, nga 81,90 lekë që ishte në fillim të javës. Gjatë javës, dollari u ble mesatarisht me 81,41 lekë dhe u shit me 82,27 lekë.
Paundi britanik ka ndjekur një prirje rënëse në fundjavë, pas një rritjeje të përkohshme të martën, kur arriti nivelin 111,95 lekë. Ditën e premte, paundi u këmbye me 111,08 lekë, duke regjistruar një rënie totale prej 0,57 lekësh krahasuar me ditën e hënë, kur ishte në kuotën 111,65 lekë.
Ndërkohë, franga zvicerane ka shënuar një rritje graduale gjatë javës. Ajo këmbehet sot me 105,23 lekë, nga 105,08 lekë që ishte në fillim të javës.
Të dhënat tregojnë për një javë me luhatje të moderuara në tregun valutor, ku leku ka ruajtur përgjithësisht pozita të qëndrueshme ndaj monedhave kryesore.



