Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka shpallur një angazhim të ri për shfrytëzimin e pasurive të konfiskuara nga veprimtaritë kriminale, duke theksuar se ato nuk do të jenë më simbol i fuqisë dhe privilegjeve, por do të rikthehen në shërbim të interesit publik.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu deklaroi se “paratë dhe pasuritë që burojnë nga droga, mashtrimi dhe forma të tjera të kriminalitetit nuk do të jenë më të lidhura me fuqinë e paligjshme, por do të shërbejnë për të mbështetur ata që kanë nevojë më shumë në shoqëri”. Ajo shtoi se këto pasuri do të përdoren për të mbështetur fëmijët, familjet, dhe komunitetet në nevojë, si dhe viktimat e dhunës.

Si një hap konkret për realizimin e këtij angazhimi, Koçiu njoftoi hapjen e Thirrjes për Financim Projektesh nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Ky fond, me një vlerë prej 150,000 euro (rreth 15 milionë lekë), nuk është krijuar nga taksat e qytetarëve, por nga pasuritë e konfiskuara nga krimi. Qëllimi i këtij financimi është të mbështesë organizatat jofitimprurëse që dëshirojnë të shndërrojnë pasuritë e krimit në projekte me ndikim shoqëror të drejtpërdrejtë.

“Qëllimi është parandalimi i kriminalitetit dhe rehabilitimi social, kulturor dhe shëndetësor i shtresave në nevojë, sidomos i personave të prekura nga krimi i organizuar dhe trafikimi,” tha ministrja Koçiu, duke theksuar se projekti përfshin asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, përdoruesve të substancave narkotike, si dhe mbrojtjen e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës.

Koçiu ftoi organizatat jofitimprurëse që janë të regjistruara në Shqipëri dhe që operojnë në fushat e përmendura të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e këtij procesi, i cili synon ta kthejë pasurinë e kriminalitetit në mundësi shprese dhe zhvillimi për komunitetin.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 9 mars 2026, dhe informacionet e plota mbi kriteret dhe procedurat mund të gjenden në faqet zyrtare të AAPSK-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Exit mobile version