Pas votimit në Francë për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, edhe vende të tjera evropiane po lëvizin drejt masave të ngjashme, duke argumentuar se përdorimi i pakontrolluar i platformave digjitale po ndikon negativisht në shëndetin mendor të të rinjve.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez premtoi të mbrojë fëmijët nga ajo që e quajti “Perëndimi i Egër digjital”, duke theksuar rreziqet e varësisë, abuzimit dhe manipulimit online. Në Spanjë pritet që ndalimi për të miturit nën 16 vjeç të përfshihet në një projektligj që po shqyrtohet në parlament.

Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi i hershëm ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale mund të lidhen me rritjen e ankthit dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor. Sipas Paul O. Richter nga think tank-u Bruegel, të miturit janë veçanërisht të rrezikuar për shkak të zhvillimit të papërfunduar kognitiv.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbështetur idenë e një kufiri moshe në nivel të BE-së, në linjë me Australinë, e cila ka vendosur kufirin 16 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale.

Përveç Francës dhe Spanjës, edhe Danimarka, Italia, Greqia, Portugalia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar po shqyrtojnë masa të ngjashme. Në nivel evropian, eurodeputetët kanë rekomanduar ndalimin për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa për moshat 13-16 vjeç sugjerohet qasje me pëlqimin e prindërve.

Një nga idetë për zbatimin e kufirit është krijimi i një ID-je digjitale në të gjithë BE-në për verifikimin e moshës, pa ekspozuar të dhënat personale të përdoruesve. Megjithatë, aktivistë të të drejtave digjitale paralajmërojnë se detajet mbi sigurinë dhe funksionimin e këtij sistemi mbeten të paqarta.

Kritikët argumentojnë se një ndalim i plotë nuk adreson problemet strukturore të platformave, si algoritmet, autoplay apo skrolimi i pafund, të cilat nxisin varësinë. Sipas tyre, kufijtë e moshës mund të jenë masa simbolike, pa ndikim real afatgjatë.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian thekson se Ligji për Shërbimet Digjitale (DSA) është mekanizmi kryesor për të detyruar platformat e mëdha të reduktojnë rreziqet për të miturit dhe të rrisin transparencën. Megjithatë, disa shtete anëtare shprehin zhgënjim për zbatimin praktik të këtyre rregullave.

Debati mbetet i hapur: a do të sjellë ndalimi më shumë siguri për fëmijët, apo nevojiten reforma më të thella në mënyrën si funksionojnë platformat digjitale?

Exit mobile version