Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për dy persona të akuzuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duke i dënuar me disa vite burgim.

Gëzim Bakalli, i njohur edhe me emrin Shkëmbim Cërmanji, u dënua me 19 vite burg. Për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 12 vite e 8 muaj heqje lirie.

Ndërsa Erjon Loci u dënua fillimisht me 12 vite burg, por në përfundim do të vuajë 8 vite burg, gjithashtu si pasojë e gjykimit të shkurtuar.

Sipas hetimeve, të dënuarit ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonin sasi të konsiderueshme kokaine, heroine, marijuane dhe ekstazi nga Amerika Latine drejt Gjermanisë, ndërsa aktiviteti i tyre shtrihej edhe në Zvicër.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë me dije më herët se Bakalli kishte rolin e drejtuesit dhe financuesit të aktivitetit kriminal, duke u përfshirë në të paktën 15 episode të dokumentuara. Ndërkohë, Loci akuzohet se ka ndihmuar në transportimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në territorin zviceran në të paktën gjashtë raste.

Vendimi i GJKKO vjen në kuadër të goditjes së grupeve të strukturuara kriminale që operojnë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Exit mobile version