Kryeministri i Hungari, Viktor Orban, deklaroi për mbështetësit e tij se kërcënimi i vërtetë për vendin nuk është Rusia, por Bashkimi Europian, ndërsa partia e tij nacionaliste, Fidesz, intensifikon fushatën anti-europiane para zgjedhjeve kombëtare më 12 prill.

Me vetëm tetë javë deri në votim, Fidesz përballet me sfidën më të madhe që nga rikthimi i Orbanit në pushtet në vitin 2010, pasi sondazhet tregojnë se partia e qendrës së djathtë Tisza ka përparësi të lehtë mbi Fidesz. Orban e krahasoi BE-në me regjimin sovjetik që sundoi Hungarinë më shumë se 40 vjet dhe hodhi poshtë idenë se Vladimir Putin është kërcënim kryesor për sigurinë evropiane, duke theksuar se frika duhet të lidhet me Brukselin.

Ai kritikon fuqishëm ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke e paraqitur BE-në dhe partnerët perëndimorë si “luftënxitës” dhe duke akuzuar shumëkombëshet, bankat dhe kompanitë e energjisë për komplot me opozitën e tij. Orban paralajmëron se zgjedhjet e prillit do të vendosin për “çështjen e luftës dhe paqes” në Hungari dhe shprehet se një fitore e Fidesz do të lejojë vazhdimin e qëllimit të tij për të çliruar vendin nga ndikimet e huaja që, sipas tij, cenojnë sovranitetin e Hungarisë.

Në të njëjtën kohë, lideri i opozitës, Peter Magyar, ka premtuar të përmirësojë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, të ringjallë ekonominë dhe të rikthejë vendin në rrugën demokratike. Ndërsa fushata intensifikohet, Orban e portretizon opozitën si instrument të BE-së, duke riafirmuar retorikën e tij kundër ndikimeve të jashtme dhe “makinës represive të Brukselit”.

Exit mobile version