Në Uashington është inauguruar Bordi i Paqes për situatën në Gaza, ndërsa është hapur edhe faqja zyrtare në internet e këtij mekanizmi të ri ndërkombëtar.
Në faqen zyrtare renditen flamujt e 28 shteteve pjesëmarrëse, mes tyre edhe Shqipëria dhe Kosova. Flamuri shqiptar shfaqet menjëherë pas atij të Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas renditjes zyrtare, pjesë e Bordit janë: SHBA, Shqipëria, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bahreini, Bjellorusia, Bullgaria, Kamboxhia, Egjipti, El Salvador, Hungaria, Indonezia, Izraeli, Jordania, Kazakistani, Kosova, Kuvajti, Mongolia, Maroku, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani dhe Vietnami.
Në dokumentin themelues theksohet se paqja e qëndrueshme kërkon zgjidhje pragmatike dhe partneritet të orientuar drejt rezultateve, duke shmangur qasjet që, sipas përmbajtjes së publikuar, kanë prodhuar varësi afatgjata dhe institucionalizim të krizave. Bordi synon të krijojë një organ më fleksibël dhe efektiv për ndërtimin e paqes, të bazuar në bashkëpunim praktik dhe angazhime të përbashkëta.
Misioni i Bordit të Paqes për Gazën përfshin promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së besueshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zona të prekura nga konflikti, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Në faqen zyrtare janë publikuar gjithashtu fotografitë e liderëve të vendeve pjesëmarrëse, ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, renditet pranë presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas informacionit të publikuar, përveç kontributeve financiare nga disa shtete, Shqipëria dhe Kosova pritet të kontribuojnë me trupa ushtarake në Gaza, me synim mbështetjen e përpjekjeve për stabilitet dhe paqe në rajonin e goditur nga konflikti.



