Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka nënshkruar Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republika e Shqipërisë dhe Republika e Polonisë, duke shënuar një hap të ri në thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
Marrëveshja synon të garantojë njohjen dhe totalizimin e periudhave të sigurimit për qytetarët që kanë jetuar dhe punuar në të dy vendet, si dhe të drejtën për përfitimin e pensionit të pleqërisë sipas moshës ligjore. Ajo parashikon gjithashtu mbrojtje nga humbja e të drejtave si pasojë e lëvizjes ndërmjet dy shteteve.
Pas nënshkrimit, ministrja Ibrahimaj theksoi se marrëveshja ofron siguri juridike dhe mbrojtje sociale për qytetarët, duke garantuar trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të fituara në sistemet respektive të sigurimeve shoqërore.
Sipas saj, ky akt përbën një tjetër hap konkret në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe një progres të rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.
Aktualisht, Shqipëria ka 17 marrëveshje dypalëshe në zbatim në fushën e sigurimeve shoqërore, pesë të tjera të dakordësuara dhe tre në proces negociimi ose përgatitjeje, duke reflektuar angazhimin për zgjerimin e mbrojtjes sociale për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.



