Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, e mbajtur këtë të enjte, më 26 shkurt, u prezantua draft-raporti për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Dokumenti konfirmon se objektivi i vitit 2027 mbetet i arritshëm, por nënvizon se kjo do të kërkojë rezultate konkrete në reforma, veçanërisht në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, shprehu shqetësime lidhur me klimën politike në vend, duke theksuar se radikalizimi i fundit ka bërë që diskutimet politike të zhvillohen shpesh jashtë sallave të parlamentit dhe jo në mënyrë institucionale. “Prioriteti kryesor duhet të mbetet mbyllja e kapitujve të negociatave. Klima politike nuk është më optimale. Ka dyshime për blerje votash dhe shqetësime për bashkëpunimin politik. Korrupsioni mbetet shqetësim i madh që kërkon adresim. Objektivi për 2027-ën është shumë më i arritshëm,” deklaroi Schieder.
Kreu i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, shtoi se Shqipëria ka ende punë për të bërë, duke përmendur protestat e opozitës, të cilat i cilësoi si të dhunshme dhe të papranueshme për një vend demokratik. Ai theksoi nevojën për ndryshime konkrete dhe zbatimin e ligjeve tashmë të miratuara.
Eurodeputeti Marco Tarquinio ngriti shqetësime mbi numrin e lartë të të paraburgosurve, ndërsa Thomas Waitz vuri në dukje rolin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Waitz e konsideroi këtë si një sinjal pozitiv për avancimin e drejtësisë dhe kërkoi më shumë përfshirje nga shoqëria civile.
Ndërkohë, eurodeputeti Michael Gahler nxorri në pah praninë e strukturave të rrënjosura korruptive dhe aktiviteteve të krimit të organizuar që shtrihen deri në nivelet më të larta të pushtetit. Ai përmendi rastin e Belinda Ballukut, ku pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që mbështeste SPAK-un, mazhoranca refuzoi të hiqte imunitetin e saj. “Kjo tregon qartë qëndrimin e mazhorancës kur bëhet fjalë për përballjen me pretendime serioze në fushën e korrupsionit. BE duhet të insistojë që shteti i së drejtës të zbatohet pa përjashtim,” theksoi Gahler.
Raporti i prezantuar dhe komentet e eurodeputetëve nënvizojnë një mesazh të qartë: përpara çdo hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të zbatojë reforma konkrete, të çmontojë strukturat problematike dhe të forcojë shtetin e së drejtës. Mbyllja e kapitujve të negociatave shihet si hapi kyç për të realizuar objektivin e vitit 2027.



