Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, ku në fokus ishte bashkëpunimi në luftën kundër kontrabandës dhe trafikut të paligjshëm.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në administrimin doganor, rritjen e sigurisë kufitare, luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Beja vuri theksin te prioritetet e Doganës Shqiptare për transparencë, integritet dhe modernizim të shërbimeve, me qëllim lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe mbështetjen e sipërmarrjes.
Nga ana e saj, VanHorn vlerësoi rolin kyç të Doganës në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe rritjen e të ardhurave buxhetore. Ajo shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve, duke mbështetur iniciativa që rrisin sigurinë dhe shkëmbimet tregtare.
Respektimi i standardeve ndërkombëtare dhe ofrimi i shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve dhe bizneseve mbeten prioritet i vazhdueshëm i Doganës Shqiptare.



