Një raketë balistike e lëshuar nga Irani është neutralizuar nga sistemet ajrore dhe mbrojtëse të NATO-s në Mesdheun Lindor, njoftoi sot Ministria turke e Mbrojtjes. Raketë, e cila kaloi mbi territorin e Irakut dhe Sirisë, ishte konstatuar duke iu drejtuar hapësirës ajrore turke, por u bllokua përpara se të shkaktonte dëme.
Mbetjet e raketës ranë në distriktin Dörtyol të provincës Hatay, pa shkaktuar viktima apo të lënduar. Autoritetet turke theksuan se veprimet e tyre ishin të shpejta dhe efektive, duke garantuar mbrojtjen e qytetarëve dhe territorit.
Ky incident përbën një përshkallëzim të rëndësishëm në tensionet rajonale. Deri më tani, Irani nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar për ngjarjen, ndërsa Turqia, një vend anëtar i NATO-s, nuk ishte shënjestruar më parë nga Teherani.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria turke e Mbrojtjes theksoi:
“Niveli i vullnetit dhe kapaciteteve tona për të garantuar sigurinë e vendit dhe qytetarëve është maksimal. Turqia ruan qëndrim në favor të stabilitetit dhe paqes rajonale, por është e aftë të mbrojë territorin dhe qytetarët, pavarësisht nga origjina e kërcënimit.”
Analistët e sigurisë paralajmërojnë se ngjarja mund të ketë implikime të mëdha për balancën e forcave në Lindjen e Mesme, duke rritur tensionet midis aleancave rajonale dhe duke testuar gatishmërinë e sistemeve mbrojtëse të NATO-s në zonë.



