Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar akuzat kundrejt qeverisë. Nga ballkoni i banesës së tij, Berisha tha se qeveritarët kanë shkuar në Dortmund për të ndjekur Kombëtaren shqiptare me paratë që iu kanë vjedhur shqiptarëve.
“Të dashur miq, narkoshteti është shteti më i shëmtuar në të gjitha aspektet. Ndeshja që zhvillohet sonte ka mbyllur të gjitha dyqanet qeveritare. Ka mbyllur zyrat, ka mbyllur parlamentin tre ditë para.
Hordhia e zyrtarëve shqiptarë, të urryer të gjithë nga fansat kuqezi, janë derdhur drejt Dortmundit për të përtypur paratë e vjedhura të shqiptarëve. Haram i paçin. Për hundë do ua nxjerrim! Beteja jonë është betejë për çdo shqiptar.
Është betejë për të sotmen, për të ardhmen e këtij vendi. Është betejë që shqiptarët të mos braktisin vendin e tyre.Është betejë që shqiptarët të jetojnë me dinjitet në këtë vend”,tha Berisha, ndërkohë më tej Berisha u uroi fitore ekipit tonë kombëtar.
“Miqtë e mi, pak çaste na ndajnë, më pak se një orë nga ndeshja e kombëtares tonë në Dortmund me kombëtaren e Italisë. Është nder i madh të ndeshesh me njërën prej skuadrave më të forta të planetit, me një traditë të shkëlqyer. Por akoma është më nder kur një skuadër e tillë ka frikë reale nga skuadra jonë kombëtare. Prandaj edhe njëherë, le t’i urojmë suksese dhe fitore ekipit tonë kombëtar, futbollistëve, kapitenit, trajnerit dhe federatës”,tha Berisha.
Discussion about this post